Reagon Amnesty International, i kerkon qeverise te respektoje te drejtat e grevisteve

(deklarata e plote e Amnesty International mund te shkarkohet ketu: http://www.amnesty.org/en/library/info/EUR11/009/2012/en)
Amnesty International, i ka bërë thirrje qeverisë shqiptare që të takohet me të përndjekurit politikë, të cilët kanë hyrë në grevë urie prej më shumë se tre javësh dhe të vendosin një dialog për të adresuar shqetësimet e grevistëve. “Rreth 24 ish- të burgosur politikë kanë hyrë në grevë urie për mbi tre javë për të protestuar për vonesat e qeverisë në shpërndarjen e kompensimit, miratuar me një ligj në vitin 2007. Sipas Shoqatës, vetëm një e teta e kompensimit është paguar që nga viti 2007. Shumë nga ish- të burgosurit jetojnë në varfëri ekstreme. Ditët e fundit grupi e ka përshkallëzuar protestën e tyre. Më 8 tetor, një nga grupi, Gjergj Ndreca, i vuri flakën vetes. Një tjetër grevist, Llazi Koçi, u dogj rëndë. Një i tretë, Lirak Bejko, tentoi të njëjtën gjë më 10 tetor. Të tjerë ish- të burgosur politikë kanë protestuar jashtë parlamentit në solidaritet me grevistët e urisë. Shumë nga ata në grevë urie janë të moshuar dhe të pafuqishëm. Amnesty International mirëpret takimin fillestar të premten e shkuar, që u zhvillua pas ndërhyrjes së ambasadës së SHBA dhe delegacionit të BE- mes grevistëve dhe presidentit Bujar Nishani. Megjithatë, kryeministri Sali Berisha ka vazhduar të theksojë se protestuesit janë të motivuar politikisht. Amnesty International i kërkon atij që të adresojë shqetësimet e tyre dhe të sigurojë që dëmshpërblimi të paguhet menjëherë,” thuhet në deklaratë.