Beteje ligjore mes LGBT dhe nacionalisteve serbe. Perfshihet dhe ceshtja e Kosoves e donatoret
Me poshte deklarata e plote e Aleances Gej dhe Straight te Serbise. Fotot jane nga parada e fundit gej ne Beograd, ne 2012.
Aleanca Gay straight (GSA) është një organizatë në mbrojtje të të drejtave të komunitetit LGBT në Serbi dhe meqënëse këta muajt e fundit organizata e quajtur Lëvizja Nacionale Serbe “Naši” (SNP Naši ku naši do të thotë “e jona”) ka gënjyer dhe shpifur në mënyrë të turpshme me qëllimin e vetëm për të mashtruar publikun Serb dhe atë ndërkombëtar, GSA ka vendosur të ngrejë padi kundër tyre.
SNP Naši ka nxjerrë në website-in e saj dhe në media të tjera një “listë të zezë” ku përfshihen GSA, organizata dhe media të ndryshme. Në këtë listë të zezë janë përfshirë gjithë organizatat dhe mediat që sipas SNP Naši po veprojnë kundër Kushtetutës dhe ligjeve Serbe, që po mbrojnë copëtimin e territorit të Serbisë (pavarësia e Kosovës), që janë të përfshira në krimin e organizuar, që janë agjentë të huaj që financohen nga fonde Amerikane, të përfshira në spiunazh dhe që përfaqësojnë interesa pro-Amerikane, etj.
Si provë bazë që këto organizata dhe media janë agjentë të huaj, SNP Naši ka nxjerrë një deklaratë të titulluar “ Të gjitha organizatat dhe mediat në listën e zezë financohen nga Qeveria Amerikane nëpërmjet fondacionit NED që drejtohet nga CIA dhe Shtëpia e Bardhë” dhe në të thuhet që të gjitha organizatat dhe mediat në listën e zezë financohen vetëm nga një sponsor dhe ky është fondacioni NED (National Endowment for Democracy). Kjo fushatë arriti kulmin në 13 Janar 2013, kur një activist i SNP Naši afishoi në hapësira publike në disa qytete Serbe postera që përmbanin emrat e organizatave dhe mediave të përmendura në listën e zezë dhe “agjentët e huaj” me shkronja të mëdha të kuqe.
GSA në mënyrë absolute hedh poshtë akuzat e rreme të SNP Naši dhe thekson se:
– Ndryshe nga SNP Naši, GSA është regjistruar në mënyrë të ligjshme në Agjensinë e Regjistrit të Biznesit Serb(APR) dhe rregullisht ja paraqet të gjitha raportet financiare shtetit në përputhje me ligjin. Sa për akuzën se GSA vepron kundër ligjit Serb, është shumë e pavërtetë pasi GSA punon në përmirësimin e implementimit te ligjit ekzistent, dhe në lidhjë me akuzën se GSA bashkëpunon me krimin e organizuar, GSA ka ofruar bashkëpunim të plotë me zyrën e prokurorisë duke i dhënë asaj akses të plotë ne tërë dokumentacionin financiar dhe jo financiar për të provuar se nuk ka llogjikë në këto akuza.
– GSA që në lindjen e saj përveç promovimit dhe mbrojtjes së të drejtave njerëzore të qytetarëve Serbë, veçanërisht atyre LGBT, si dhe pakësimin e dhunës dhe diskriminimit nuk ka mbajtur asnjë qëndrim në lidhje me statutin e Kosovës apo çështjeve të ngjashme. Kjo mund të vërtetohet fare lehtë duke kontrolluar faqen e tyre të internetit. Natyrisht, si qytetarë të këtij vendi ata kanë mendime personale, por si shoqatë ata nuk dalin jashtë kufijve që janë vendosur në statutin e GSA.
– Sigurisht, GSA nuk mendon se të qenurit të financuar nga NED apo ndonjë tjetër fondacion, do të thotë se dikush është agjent i huaj, por meqënëse kjo është llogjika e SNP Naši, GSA dëshiron të theksojë se që në themelim të saj, GSA nuk është financuar nga NED, nuk ka kërkuar të financohet ndonjëherë prej tyre dhe nuk ka pasur asnjëherë kontakte me të. Për më tepër, as USAID apo Qeveria Amerikane nuk e kanë financuar ndonjëherë GSA-në prandaj akuzat e SNP Naši janë krejtësisht të gënjeshtërta.
– GSA financohet nga tarifat e anëtarësimeve dhe kryesisht nga të njëjtat burime si Republika e Serbisë, Nga fondet e EU-së etj. GSA aplikon rregullisht për projekte dhe njësoj si organizatat e tjera, ato aprovohen ose refuzohen. Nga ana tjetër do të ishte interesante të zbulohej cilat janë burimet financiare të SNP Naši, pasi si një organizatë e paregjistruar ende, ata janë subjekte të pakontrolluara. Është e rëndësishme të theksohet se GSA organizon shumë aktivitete me bazë vullnetare, me fonde minimale ose pa fonde. Prandaj është e rëndësishme që publiku Serb të kuptojë që organizatat jo-qeveritare nuk kanë nëpër duar sasi të mëdha parash dhe se aktivistët e GSA ndajnë të njëjtin fat me të gjithë qytetarët e tjerë të Serbisë.
GSA ka vendosur të ngrejë akuzë penale kundër individëve përgjegjës të SNP Naši për këto deklarata të pavërteta si dhe për vepra të tjera nga Kodi Kriminal i Republikës së Serbisë, pasi i është shkaktuar një dëm shumë i madh. Gjithashtu, në vazhdim të gjyqit, GSA do të kërkojë një dëmshpërblim prej një million dinarësh (8,900 euro).
Meqënëse GSA nuk ka fonde për të printuar postera për të përgënjeshtruar akuzat që janë bërë kundrejt saj, dhe meqënëse GSA nuk do të kryente aktin kriminal të të djegurit të flamurit të kujtdo për të tërhequr vëmendjen mediatike, GSA i kërkon mediave që ta publikojnë këtë deklaratë.
Perktheu Alba Ahmetaj/Historia-ime.com