UPDATE/Baraku ka shpallur fajtor Bashen dhe jo Spahiun per LGBT. Per rastin Spahiu nuk jep sqarim
Pro LGBT shpreh keqardhjen për mungesën e seriozitetit të institucionit të Komisionerit për Mbrojtje nga Diskriminimi dhe për mungesën e vullnetit të këtij institucioni për të çuar përpara disa nga rastet e denoncuara nga ana jonë.
Në raportin e punës së këtij institucioni që po qarkullon në komisionet parlamentare ne vërejmë se çështja kryesore e kauzës LGBT të një viti më parë, ajo e deklaratave homofobike dhe të gjuhës diskriminuese të z. Ekrem Spahiu është lënë në heshtje, nuk është çuar deri në fund dhe është mbyllur në mënyrë thuajse misterioze pa shpjegimet përkatëse.
Por, duke studiuar raportin prej 74 faqesh mësojmë, se ndonëse organizatat janë ankuar për gjuhën diskriminuese të z. Spahiu, komisionerja Baraku paska hapur një çështje tjetër, një çështje ndaj z. Murat Basha, i cili në emisionin Opinion me titull “Parada gay, pro dhe kundër” ka bërë komente me gjuhë diskriminuese.
Znj. Baraku raporton se e ka gjetur fajtor z. Basha dhe i ka kërkuar këtij të fundit që të kërkojë falje publike ndaj LGBT. Më tej, sqaron raporti, Basha ka kërkuar ndjesë publike në një gazetë me tirazh të lartë.
I kujtojmë zonjës Baraku se problemin nuk e kemi me një nënkryetar partie me të cilin aktivistët janë përballur publikisht, me kurajo dhe pa asnjë komleks.
Problemin ne e kemi me faktin që çështja ndaj z. Spahiu u mbyll thuajse në mënyrë tinzare nga një institucion që është ngritur për të mbrojtur komunitetet nga diskriminimi.
Zonja Baraku,
Deklarata të tipit “do i marr me hu” janë ato që bënë xhiron e botës, detyruan Ambasadën e SHBA dhe të gjithë përfaqësuesit e BE në Tiranë të reagonin publikisht.
Cfarë u bë me çështjen e z. Spahiu?
Si ka mundësi që asnjëherë ne nuk jemi njoftuar zyrtarisht nga institucioni juaj, si palë në këtë çështje për përfundimin ose jot ë ëksaj çështje?
Së dyti,
Ne besojmë se zelli për të mbuluar zëvendës ministrin e Mbrojtjes duke hapur një çështje tjetër ndaj zëvendësit të tij në parti, është një taktikë që i çon ujë mosndëshkueshmërisë në këtë vend.
Dëmi që deklarata e z. Spahiu ka bërë ndaj komunitetit LGBT është ende i pashlyer. Nga ana tjetër nuk është fare e vërtetë që zoti Murat Bashan a ka kërkuar ndjesë publike. Artikulli që ju ndoshta i referoheni (pavarësisht se nuk e bëni publike në raport), është ai i datës 8 qershor 2012 në gazetën Panorama (artikull që nuk figuron në arkivën online të kësaj gazette).
Shkruhet:
“Nënkryetari i PLL-së, Murat Basha, reflekton ndaj deklaratave të tij lidhur me paradën që përfaqësues të komunitetit gay do të zhvillonin në Tiranë. Basha shprehet për gazetën “Panorama” se në prononcimet e tij publike nuk ka pasur qëllim keqdashës. “Në asnjë moment nuk ka pasur asnjë keqdashje ndaj një’ grupimi të tillë apo të kujtdo që bën një zgjedhje tjetër nga ajo të cilën unë pretendoj për personin tim”, tha dje përfaqësuesi i lartë i partisë Lëvizja e Legalitetit. I ftuar në një prej emisioneve “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu, Iegalisti Basha” ka replikuar me aktivistin për mbrojtjen e te drejtave të komunitetit gay, Kristi Pinderi pas diskutimeve të zjarrta nga të gjithë të ftuarit në këtë emision. “Gjatë emisionit disaorësh jam provokuar disa herë, kur kam arritur në atë moment që kam përdorur një metaforë, e cila nuk prek askënd dhe nuk i është drejtuar askujt”, përfundon nënkryetari i PLL-së”.
Pyetja e fundit që ne ju bëjmë zonja Baraku është:
Në ç’pjesë të artikullit më lart ju lexoni ndonjë ndjesë publike nga ana e z. Murat Basha?
Ajo që është edhe më shqetësuese ka të bëjë me faktin që dëmi tjetër në këtë rast është ai që ju znj. Baraku poi bëni institucionit ku jeni zgjedhur ta drejtoni. Sjellja juaj, sidomos mungesa e transparencës dhe e komunikimit me publikun dëmton rëndë besueshmërinë ndaj institucionit, që do i duhet ta rindërtojë këtë besim nga e para.
Ne emer te Pro LGBT,
Kristi Pinderi