E PERDITESUAR – Deklarata te tensionuara ne Shqiperi dhe Kosove per ceshtjen e qumeshtit
Institucionet ne Kosove, sipas nje raporti te byrose se Top Channel ne Prishtine, nuk terhiqen nga fakti qe qumeshti nga Shqiperia ka nivele te larta te aflatoksines.
Me heret media kishte bere te ditur se dy ministra ne Shqiperi, z. Edmond Panariti dhe z. Genc Ruli permes deklaratave te tyre kishin lene te kuptohej se e gjithe kjo ceshtje behet si pasoje e konkurrences dhe per kete akuzonin direkt Kosoven. Me poshte, vjen edhe “kunderpergjigja”. Teksti i plote i kronikes se TCH:
“Superanaliza” e një prej produkteve shqiptare të qumështit, e kryer në laboratorin e çertifikuar ndërkombëtar, rezulton pozitive me aflatoksinë, ashtu siç konstatoi Agjencia Kosovare e Veterinës dhe Ushqimit para disa ditësh.
Në këtë mënyrë, ky institucion i kundërpërgjigjet akuzave të fundit nga Tirana se vendimi për heqjen e disa markave të qumështit nga tregu ishte artificial dhe për çështje konkurrence.
“Ne tani po presim rezultatet që do vijnë nga superanaliza, që e ka vërtetuar dyshimin tonë për një prodhues nga Shqipëria. Këto rezultate do t’i bëjmë publike në media dhe do t’i heqim dyshimet se ne kemi ndikuar pozitivisht apo negativisht për balancimin e tregut”, deklaroi Lamir Thaçi, zëdhënës i Agjencisë së Veterinës dhe Ushqimit të Kosovës.
Por, edhe këtë herë zyrtarët e AVUK-ut nuk publikuan përqindjet e aflatoksinës në qumësht me arsyetimin se janë në pritje të analizave të tjera për t’i publikuar të gjitha në një ditë.
Sa i përket qumështit që prodhohet në Kosovë, agjencia nuk ka dërguar mostrat në laboratorin ndërkombëtar sepse analizat e bëra në Kosovë rezultojnë se përmbajtja e aflatoksinës në qumështin vendor është në nivelin e lejuar nga Bashkimi Europian.
Nga ana tjetër, zyrtarë të tjerë të qeverisë së Kosovës kanë refuzuar të komentojnë deklaratat e ministrit shqiptar të Bujqësisë dhe atij të Punëve të Jashtme. Kjo, për faktin se AVUK monitorohet nga zyra e kryeministrit dhe jo nga Ministria e Bujqësisë.
Top channel nuk ka mundur të kuptojë nëse vendimi i AVUK-ut është bërë në konsultim me autoritetet monitoruese. Kjo për faktin se zëvendëskryeministri, i cili ka pasur nën mbikëqyrje këtë mekanizëm, Bujar Bukoshi ka kohë që ka hequr dorë nga detyra për shkak të problemeve me drejtësinë, po kështu edhe stafi i tij.
Top Channel ka kontaktuar me ministrin e Bujqësisë Blerand Stavileci, por ai ka refuzuar të komentojë mbi këtë çështje me arsyetimin se AVUK nuk është nën ombrellën e ministrisë së tij.
Sidoqoftë, burime të tjera kanë shpjeguar se Stavileci ka zhvilluar një bisede telefonike me homologun shqiptar Genc Ruli për këtë çështje. Ndërkaq, është bërë e ditur se ministri Stavileci ka programuar këtë të hënë një takim me zyrtarët e agjencisë për të marrë më shumë informata.