LGBT, histori dashurie e objekte te ndaluara ne Muze
As ata vetë nuk e kishin menduar se do të kishte aq shumë pjesëmarrës. Nuk dinin nëse duhet të skuqeshin, nëse duhet të ndiheshin në siklet apo jo. Këtë ndjesi e provuan vetëm për pak, pasi nuk vonoi shumë që të kuptonin se askush që ishte aty nuk i paragjykonte… Është pritur me kureshtje “Art 1”, ekspozita e hapur nga Aleanca LGBT, mbrëmë në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar.
Përveç anëtarëve të komunitetit, mbushnin hollin e Muzeut përfaqësues të trupave diplomatike në Tiranë, të OJF-ve të ndryshme apo të shoqërisë civile. Ishin të pranishëm në ceremoninë e hapjes përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Sekui, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Aleksandër Arvizu, i ngarkuari me punë i Ambasadës Suedeze, që edhe mbështeti këtë aktivitet, Patrik Svensen etj. Ndërsa nuk u pa ndonjë pushtetar shqiptar apo përfaqësues partiak.