Kjo eshte mbi te gjitha komike: Rama shenon, Berisha peson… (TemA)
Marre nga TemA
Si rrallë ndonjëherë, ndeshja Shqipëri –Norvegji ka bashkuar Edi Ramën dhe Sali Berishën. Por vetëm për pak minuta.
Të dy liderët u përfshinë në komente të ethshme online, duke përdorur rrjetet sociale.
Fillimisht ishte Berisha që deklaroi se po e ndjek ndeshjen me takikardi.
Më pas Rama ironizoi: “Tani ora e Kombëtares! Për 90 minuta kemi koalicionin më të madh të mundshëm, i vetmi koalicion ku mund të jem bashkë me Saliun”.
Por shumë shpejt bashkimi i la vendin sherrit online, mes Sali Berishës dhe Edi Ramës.
Ka mjaftuar goli i bërë nga Valdet Rama në minutat e fundit të pjesës së parë të ndeshjes, që nëpër rrjetet sociale të nisin komentet ironike ndaj Berishës dhe Ramës.
Nuk kanë qenë të paktë njerëzit që kanë ironizuar golin nisur dhe nga përbërja e ekipit tonë kombëtar me lojtarë si Basha, Rama, Berisha, e ku dukej se vetëm Meta mungonte në fushë.
Fill pas kësaj ka reaguar dhe kryeministri Berisha duke shkruar faqen e tij të Facebook-ut statusin: “Rama mund të bëjë gol, por është Berisha ai që garanton fitoren. Përpara. Fitore!”.
Por i menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Ramës.
“Duhet vetëm kujdes, ata s’kanë gjë në vijë nëse nuk bëjmë në gabime!”, ku ashiqare duket aludimi i Ramës se fitorja është e garantuar nga kujdesi që do të tregojë ekip.
Por minutat e ethshme në stadiumin kombëtar, nuk kanë lënë të qetë edhe kryeministrin Berisha. Pas Ramës, duket se ai është kundërpërgjigjur duke thënë: “Të dashur miq, lojë e mrekullueshme. Gol i jashtëzakonshëm dhe tifozët kuq e zi fansat me të mirë të kësaj toke. Fitore!”.
Barazimi i ndeshjes duket se ka përmbysur situatën mes Berishës the Ramës, duke nxjerrë këtë të fundit në sulm.
Kryeministri nuk shkruan më në faqen e tij sociale, ndërsa Rama menjëherë ka postuar disa statuse.
“Shkëlqyer Salihi veç pak fat dhe ishte e mbyllur!… Forca çuna edhe 20 minuta e pak dhe është fitore! Vetëm gabime jo. Ahhhh… Gjynah! Skemë e shkëlqyer vetëm goli mungoi. Tani jo gabime vetëm jo gabime forca çuna”,shkruan Rama.
Por goli i ekipit norvegjez ka humbur çdo shpresë fitoreje.
Në fund të ndeshjes, Berisha sërish deklaroi se ata do të fitojnë dhe e mbylli me këtë postim: “Të dashur miq, ndeshje e mrekullueshme! Mirënjohje për lojën që na dhuruan, por barazim.