Turqi, policia rimerr sheshin Taksim pas oresh luftimesh
STAMBOLL – Është pushtuar nga policia sheshi Taksim në Stamboll në natën mes të martës dhe të mërkurës pas 8 orë përleshje me manifestuesit kundër shkatërrimit të pemëve afër parkut Gezi dhe kundër qeverisë së Erdoganit.
Pas kësaj ngjarjeje, raportohen 25 të plagosur, 5 në gjendje të rëndë dhe 100 të arrestuar. Ndërkohë, që nga protestuesit kanë vijuar thirrjet: “Taksim është kudo”; “Rezistenca është kudo”.
Hedhjet e fundit të lakrimogjenëve kanë ndodhur rreth orës 3 të së mërkurës me orën lokale (ora 2 në Shqipëri). Më pas manifestuesit janë tërhequr në park dhe policët kanë rimarrë kontrollin e qytetit. Por edhe në Ankara rifilloi një manifestim me 5.000 vetë të martën në mbrëmje kundër policisë.
Kryeministri Erdogan ka në plan të takohet sot me disa prej protestuesve, por i akuzon ata, se po përpiqen qëllimisht të dëmtojnë ekonominë dhe imazhin e Turqisë.
Tre njerëz kanë vdekur që kur protestat filluan pothuajse dy javë më parë. Rreth 5 mijë njerëz janë plagosur dhe mijëra të tjerë janë arrestuar.
ARRESTOHEN 50 AVOKATË
Janë arrestuar sot 50 avokatë turq, pasi manifestuan kundër ndërhyrjes së policisë ndaj protestuesve. Avoktatët ishin mbledhur në grevë përpara pallatit të drejtësisë së Stambollit për të protestuar kundër policisë, e cila sot në mëngjes mori kontrollin mbi sheshin Taksim, bën të ditur TM News. Por forcat e policisë speciale ndërhynë për t’i shpërndarë ata. Pas një përleshjeje të shkurtër, rreth 50 avokatë janë arrestuar, bën të ditur Shoqata e avokatëve bashkëkohorë. Në një koment në faqen Facebook, presidenti i Dhomës penale turke, Metin Feyzioglu, ka lajmëruar se do të jetë në Stamboll për të diskutuar me autoritet mbi arrestimet. –
Me shume: http://www.shqiptarja.com/home/1/stamboll-policia-rimerr-sheshin-taksim-pas-8-ore-perleshje-161792.html#sthash.wDNyqM9o.dpuf