Problemet me Belleair, harron pasagjeret ne aeroporte…
Të dielën, një kosovar me fëmijë kishte mbetur në Aeroportin e Basel-it të Zvicrës me biletë në dorë, por pa fluturim për t’u nisur. Biletën e kishte blerë në kompaninë Belle Air, ndërsa fluturimi nuk ekzistonte fare, raporton gazeta Express.
Kështu që ishte detyruar të blinte biletë në një kompani tjetër dhe të udhëtonte nga qyteti i Zyrihut.
Kështu i ka ndodhur edhe shumë kosovarëve me kompanitë ajrore.
“Kam blerë biletën te Belle Air për të udhëtuar të dielën, ndërsa kur shkuam në aeroport, fluturimi nuk ekzistonte fare”, tregon kosovari Petrit Osmani, për Express.
Ai ishte detyruar të paguaj edhe shumë para të tjera për të udhëtuar nga një qytet dhe aeroport tjetër i Zvicrës për në Kosovë.
Mësohet se kompania Belle Air, te dielën i kishte destinuar avionët e saj në shërbim të zgjedhjeve në Shqipëri, duke harruar kështu pjesën tjetër të klientëve.
Drejtuesit e Partisë Socialiste në Shqipëri, kishin denoncuar kompaninë Belle Air se po jepte bileta falas për emigrantët që të shkonin në Shqipëri për të votuar Partinë Demokratike.
Kjo kompani u akuzua nga socialistët se me ndihmën e partisë e cila ra nga pushteti në zgjedhjet e 23 qershorit, ka pasur monopolin e tregut shqiptar si kompani e afërt me njerëzit në pushtet.
Deputeti i PS-së, Sajmir Tahiri, kishte deklaruar para disa ditësh se Belle Air po ofron bileta falas për emigrantët që të vijnë për të votuar Sali Berishën.
Ata kishin treguar se kjo kompani është privilegjuar nga pushteti i PD-së dhe i është falur një borxh prej 12 milionë euro nga Aeroporti i Rinasit.
“Djemtë dhe vajzat, motrat dhe vëllezërit e pushtetit të Salihut, në bashkëpunim me kompaninë Belle Air, monopoli spektakolar i Lul Bashës, kanë filluar të ofrojnë bileta falas për emigrantët e studentët shqiptar, duke i detyruar të votojnë për Sali Berishën dhe ta provojnë këtë duke fotografuar votën e tyre”, pati thënë dy ditë para zgjedhjeve deputeti Tahiri.
Kjo kompani thuhet se ka borxhe edhe në Aeroportin e Kosovës. Në Kosovë, janë të ditura shumë raste kur udhëtarëve u shitën biletat dhe pastaj mbesin në aeroporte duke pritur. Para dy vitesh mbeten mbi 500 udhëtar në Aeroportin e Prishtinës dhe askush nuk u mor me ta.