Cfare po ndodh me plehrat…?!
Aleanca Kundër Importit të Plehrave bën apel për ndalimin e lejeve për import plehrash nga ana e qeverisë në detyrë. AKIP ka informacione se janë dhënë leje importi.
“Kemi informacion se janë dhënë mbi 10 leje (të cilat i kemi evidentuar) për importin e mbetjeve metalike dhe plastike. Këto kanë ndodhur dhe kohët e fundit. Dy fabrika riciklimi janë në Vorë dhe Gjokaj dhe kemi frikën se mund të ndodhë në vazhdimësi. Kjo do të ishte e papranueshme dhe mendojmë se shkalla e abuzimit mund të jetë më e madhe në këtë periudhë sesa më përpara”, tha në emër të AKIP, ambientalisti Lavdosh Ferruni, raporton gazeta “Dita”.
“I bëjmë thirrje qeverisë së re që seancat e para parlamentare t’i shfrytëzojë për të hequr nenet që lejojnë importin e mbetjeve. Në këtë mënyrë kjo shumicë do të mbajë premtimin elektoral. Nëse qeveria e re nuk i përmbush, ne do të vazhdojmë referendumin, i cili është miratuar nga Gjykata Kushtetuese dhe Presidenti Nishani ka caktuar datën”, tha Blendi Kajsiu.
Ambientalistët kërkuan qeveria të mbajë premtimin e dhënë, në të kundërt do të nisë puna për organizmin e referendumit, një hap që do të kishte kosto për vendin, për më tepër një muaj pas zgjedhjeve parlamentare.