Lideri taleban qe i shkruan Malales
Një lider taliban i ka shkruar një letër nxënëses nga Pakistani, që u qëllua në kokë pse mbronte të drejtën e femrave për shkollim.
Në letër, ai kërkon falje, por edhe mbron veprimin e talibanëve.
Malala Jusufzai u qëllua ndërsa ishte në autobusin e shkollës.
16 vjeçarja mori plagë në kokë dhe qafë.
Në letrën e Adnan Rasheed, lideri i organizatës Tehreek-e-Taliban, justifikohet përpjekja për vrasjen e saj.
Në fillim të letrës, Rasheed kërkon falje dhe thotë se flet me emocione vëllazërore, për shkak se të dy vijnë nga i njëjti klan.
“Kur ti u sulmove, kjo ishte shokuese për mua. Do të doja që kjo të mos ndodhte kurrë,” shkruan ai.
Por menjëherë toni ndryshon.
Në letër ai shkruan se Malala duhej të heshte sepse po drejtonte një fushatë dashakeqe ndaj përpjekjeve të tyre për të vendosur një sistem islamik në luginën e Suatit. Ai shton se shkrimet e saj ishin provokative.
“Ka mijëra vajza që shkojnë në shkollë në luginën Suat. Por a mund të shpjegosh se përse ti ishe në listën e vrasjes?
Ti dhe OKB po pretendoni se u qëllove për shkak të shkollimit, por kjo nuk është arsyeja. Të jem i ndershëm, arsyeja ishte propaganda”.
Në letër thuhet se gjithçka është organizuar nga hebrenjtë dhe masonët. Lideri taliban thotë se presidenti amerikan është një vrasës masiv, ndërsa programi i vaksinimit kundër poliomielitit është në fakt një program sterilizimi.
Letra mbyllet duke i thënë Malalës se ajo duhet të kthehet në shtëpi, të adoptojë kulturën islamike dhe të shkojë në një medrese për femra, pranë shtëpisë së saj.
Javën e shkuar, Malala foli përpara asamblesë së të rinjve të OKB-së, ditën e 16 vjetorit të saj. Ajo do quhet Dita e Malalës.
“Terroristët menduan se do më ndryshonin qëllimin dhe do ndalonin ambiciet e mia. Por plumbat nuk do na bëjnë të heshtim,” tha Malala.