Shkollat shqiptare qe nuk plotesojne asnje kusht, nis dita e pare e vitit shkollor
Sot ka filluar viti i ri shkollor. Nxënësit janë drejtuar drejt shkollës me lule në duar për mësuesit e tyre. MË të emocionuarit janë nxënësit e klasës së parë, të cilët ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
Por jo çdo gjë ka shkuar ashtu siç duhej në këtë ditë pasi kushtet higjieno-sanitare e kanë detyruar Autoritetin Shëndetësor Rajonal të propozojë që katër shkolla në kryeqytet të mos hapen.
ASHR i është drejtuar me një shkresë zyrtare Bashkisë së Tiranës ku i i ka dërguar edhe raportin e inspektimit të bërë pak ditë para fillimit të vitit të ri shkollor.
Ndërsa në Lushnjë, siç raporton Top Channel 80% e shkollave duhen mbyllur.
Drejtoria e higjienës ka kërkuar që shkollat të mbyllen pasi nuk i plotësojnë kushtet. Sipas Celes duhet të mbyllen rreth 80 % e shkollave në Lushnjë pasi nuk plotësojnë parametrat e higjienës për zhvillimin e mësimit.
Shkolla në fshatin Thanasaj të komunës Dushk është në gjendje të mjerueshme. Muret dhe dyshemeja e saj janë të çara, mungon ndriçimi dhe shkolla nuk ka as tualet. Situata pritet të jetë edhe më e rëndë me fillimin e shirave dhe ardhjen e dimrit.
Mësuesit kanë kërkuar rikonstruksionin e shkollës por asgjë nuk është bërë e mundur. Vetë mësuesit kanë lyer dhe rregulluar shkollën duke u mundur që t’i presin nxënësit sa më mirë.
“Tabelat dhe mjetet i blejmë me lekët tona, çdo gjë vetëm nëpërmjet forcave tona. Kemi suvatuar, kemi lyer, të gjitha u blenë me paratë e mësuesve”, thotë një mësuese.
Ndërsa drejtori i shkollës shprehet: “Ne si këshill pedagogjik mundohemi t’i minimizojmë këto gjëra. Ne kemi dëshirë që dita e parë e vitit mësimor të nisë sa më normalisht. Por këtu mungojnë dritat, mungon uji, dyert janë të prishura”.
Drejtoria e Higjienës në Lushnjë që monitoron shkollat për higjienën dhe kushtet ku do të mësojnë nxënësit raporton se kjo shkollë nuk duhet të hapet, pasi ajo nuk plotëson parametrat për zhvillimin e orëve të mësimit.
“Shkolla e Zgjanës është në gjendje të rëndë dhe është drejt shembjes. Shkolla e Thanasajt është jashtë çdo kushti normal”, thotë Isuf Cela, nga Shërbimi i Higjienës. (A.H)