Kodi i Etikes i qeverise shqiptare nder te parat ne Europe qe respekton edhe komunitetin transgjinor
Aleanca Kundër Diskriminimit dhe ProLGBT (Të Bashkuar pro kauzës LGBT) përshëndesin vendimin e qeverisë për të përfshirë në kodin e Etikës edhe parimin e mosdiskriminimit.
Sipas këtij parimi të reflektuar në pikën 3 të këtij Kodi, “Anëtari i Këshillit të Ministrave, gjatë ushtrimit të funksionit, me veprimet ose mosveprimet e tij, nuk duhet të favorizojë apo të diskriminojë një subjekt të caktuar për shkak të gjinisë, racës, ngjyrës, etnisë, gjuhës, identitetit gjinor, orientimit seksual, bindjes politike, fetare ose filozofike, gjendjes ekonomike, arsimore ose shoqërore, shtatzanisë, përkatësisë prindërore, përgjegjësisë prindërore, moshës, gjendjes familjare ose martesore, gjendjes civile, vendbanimit, gjendjes shëndetësore, predispozicioneve gjenetike, aftësisë së kufizuar, përkatësisë në një grup të veçantë ose për ndonjë shkak tjetër të ngjashëm”.
Ne besojmë se përfshirja e orientimit seksual dhe identitetit gjinor si arsye të një diskriminimi përbën një prej hapave historikë që një qeveri shqiptare ndërmerr.
Nga ana tjetër, përfshirja bashkë me termin “orientim seksual” edhe të termit “identitet gjinor” përbën një risi në nivel europian dhe botëror, duke qenë se dhe në vende të Europës perëndimore komuniteti trangjinor dhe interseksual jo gjithmonë përfshihet sa herë që përfshihet edhe komuniteti gej ose lezbike (orientimi seksual përfaqëson më së shumti komunitetin gej dhe lezbike, ndërsa termi identitet gjinor përfaqëson më së shumti komunitetin transgjinor nëse mund ta sqaronim në një mënyrë të thjeshtuar).
Për shkak të këtij hapi të qeverisë së re por edhe për shkak të premtimeve të tjera të PS karshi mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të LGBT, lëvizja LGBT në Shqipëri ndihet optimiste se përmirësimet ligjore dhe politikat konkrete karshi komunitetit tonë tashmë ka gjasa dhe shanse reale që të kthehen në realitet. Kjo na bën më shumë të vëmendshëm për ti monitoruar premtimet dhe për të qenë alert sa herë që ato nuk zbatohen.