Shtate heroina nga e gjithe bota, te enjten ne Tirane
Qendra për Nisma Ligjore Qytetare (QNL), një organizatë jofitimprurëse shqiptare, që ofron shërbim ligjor falas për viktimat e dhunës me bazë gjinore, në bashkëpunim me Ambasadën Suedeze në Tiranë, Civil Rights Defenders, Hedda Production AB dhe mbështetjen e Institutit Suedez, njofton leximin teatror të shfaqjes dokumentare “SHTATË”në Tiranë, në datën 8 Nëntor 2013, në sallën e Koncerteve tek Universiteti i Arteve, si pjesë e turneut rajonal në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.
“SHTATË” është një shfaqje dokumentare e bazuar në intervistat me shtatë aktiviste të të drejtave të grave nga e gjithë bota, lufta dhe historitë e vështira jetësore të të cilave përbëjnë një burim frymëzimi: Farida Azizi (Afganistan), Inez McCormack (Irlanda Veriore), Marina Pisklakova-Parker (Rusi), Annabella de Leon (Guatemala), Mukhtar Mai (Pakistan), Mu Sochua (Kamboxhia) and Hafsat Abiola (Nigeri).
Një nga qëllimet specifike të Turit Ballkanik të “SHTATË-s” për vitin 2013 është që të krijojë një debat të gjerë publik mbi dhunën me bazë gjinore dhe të drejtat e grave duke përfshirë median, vendimmarrësit, opinionistët, publikun e gjerë dhe individë të të gjitha gjinive. Ky qëllim vjen si objektiv edhe për ne, duke patur parasysh numrin e lartë të grave që dhunohen në Shqipëri, nga dhuna fizike në familje, si dhe ato që janë viktima të dhunës psikologjike.
Turneu i leximeve teatrore të “SHTATË-s” u iniciua në vitin 2008 nga autorja dhe producentja Hedda Krausz Sjögren. Turneu ka shkuar deri tani në 13 shtete, duke arritur në mbi 20.000 njerëz nga Suedia në Afganistan. Mbi 500 persona, burra dhe gra, duke përfshirë edhe disa ministra, anëtarë të Parlamentit Europian, artistë dhe aktorja fituese e çmimit Oscar, Meryl Streep, kanë performuar në këtë shfaqje.
Bazuar në intervistat e kryera në vitin 2007, “SHTATË” u krijua nga shtatë dramaturge të vlerësuara me cmime: Paula Cizmar, Catherine Filloux, Gail Kriegel, Carol K. Mack, Ruth Margraff, Anna Deveare-Smith dhe Susan Yankowitz.
Në çdo vend shfaqja është performuar nga një ansambël unik figurash të shquara që përfaqësojnë aspekte të ndryshme të aktivizmit shoqëror. Në Shqipëri shtatë personalitete nga politika, media, teatri dhe sporti janë ftuar të jenë pjesë e ansamblit të “SHTATË”.
Emrat e tyre janë: Ministrja e Mbrojtjes Znj. Mimi Kodheli, Ministrja e Integrimit Znj. Klajda Gjosha, Z. Gerti Bogdani, politikan, anëtar i Kuvendit, Z. Ben Andoni, gazetar, Znj. Ema Andrea, aktore, Z. Foto Strakosha, sportist, Z.Fatos Lubonja, gazetar.
Turneu rajonal i “SHTATË 2013”, mbështetur nga Instituti Suedez, përfshin gjithashtu shfaqje në Bosnje-Hercegovinë, Kroaci, Kosovë, Maqedoni dhe Serbi.
Për më shumë informacion në lidhje me projektin:
http://www.facebook.com/pages/Seven-on-tour/160237294040347
http://www.civilrightsdefenders.org/