Media raporton per nje krim makaber ne Durres: Kane ndjekur dy vete ne makine
Një ngjarje e rëndë është shënuar në zonën e ish-Kënetës në Durrës, ku 2 persona janë gjetur të shkrumbuar brenda një automjeti, raporton TemA.
“Trupat e pajetë të dy meshkujve u gjetën brenda një automjeti në flakë në periferi të qytetit, pranë ish-vaskave të peshkut. Nga hetimet rezultoi se viktimat janë nga fshati Kamberas i Fushë- Krujës. Ata janë Albert Kasalla dhe Shaban Babasi. Mësohet se Babasi ishte banakier i një lokali në qendër të fshatit Kamberas kurse Kasalli punonte në një gurore në Fushë Krujë”, shkruan kjo gazete ne versionin online te saj.
Nga të dhënat e para nga hetimet e kryera mësohet se “personat janë të skeduar për vepra penale të mëparshme. Kështu, Babasi rezulton ish-i dënuar për trafik droge në Itali ku dhe ka kryer dënim me 3 vjet burg. Kurse Kasalli rezulton i skeduar për transport narkotikësh”.
Ka qenë një telefonatë e mbërritur në sallën operative të policisë që denonconte përfshirjen nga flakët të një automjeti. Brenda automjetit, pas shuarjes së zjarrit, u gjetën dy kufomat, që për shkak të shkallës së lartë të djegies ka qenë e vështirë të përcaktohet menjëherë përkatësia e tyre gjinore.
Njëri prej trupave është gjetur në bagazhin e automjetit dhe tjetri në sediljen e pasme të mjetit tip Mercedes Benz.
Ekspertët kanë konfirmuar tashmë se viktimat janë ekzekutuar më parë me armë zjarri dhe më pas mjetit i është vënë flaka për të zhdukur trupat dhe provat e krimit.
Policia bëri të ditur disa orë më vonë se ka shoqëruar dy persona si të dyshuar për këtë krim të rëndë.
Policia e Durrësit njoftoi se ka shpallur në kërkim dy persona të tjerë.
Në banesën në Shkozet, që i përket njërit prej autorëve në kërkim nga policia, janë gjetur gjurmë gjaku dhe gëzhoja, prova që sipas grupit hetimor dëshmojnë se viktimat janë torturuar më parë dhe më pas ekzekutuar me plumb në kokë.
Autorët e përfshirë, që dyshohet të jenë 4 persona, i kanë transportuar më pas drejt zonës së ish-Kënetës ku i kanë vënë zjarrin mjetit për të zhdukur provat e këtij krimi dhe trupat e Babasit e Kasallës.
Veprimet e shpejta policore gjatë natës së kaluar dyshohet se nuk u kanë dhënë kohë autorëve të zhdukin gjurmët në banesën ku ka ndodhur krimi, ndërkohë që vijon puna për kapjen dhe arrestimin e tyre.