I burgosuri shqiptar vret gardianin.
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot rreth orës 14:00 (ora lokale greke), kur një shqiptar i dënuar me burgim të përjetshëm në burgun e Malandrinos, ka qëlluar me thikë për vdekje, një nga gardianët e këtij burgu.
Ngjarja ndodhi pas drekës, kur të dënuarit ktheheshin në qelitë e tyre, ndërsa shqiptari e ka sulmuar papritur nga mbrapa rojen e burgut.
Dëshmitarët treguan se autori i krimit në një gjendje amoku, duke mbajtur një thikë të improvizuar në qafën e viktimës, filloi të bërtiste dhe thoshte se po hakmerret, për shkak se nuk i dhanë leje të vizitojë nënën e tij. Ai bërtiste: “Nuk më lejojnë të shoh nënën time, do të marr jetën e njërit prej jush!”.
Shqiptari, që sipas mediave quhet Ilia Kareli, i dënuar me burg të përjetshëm për një vrasje tjetër, e goditi rojen e burgut 3 herë me thikë në qafë, duke i prerë artierien karotide. Viktima, Jorgos Cironis, 46 vjec babai i dy fëmijëve, shumë shpejt është transferuar në spital, por mjekët nuk mundën të bëjnë asgjë dhe ai ndërroi jetë pas pak minutash.
Ngjarja e papritur shkaktoi kaos e panik dhe oficerët e tjerë të burgut nuk kanë patur kohë të shmangin tragjedinë.
Mësohet se i dënuari kishte paraqitur një kërkesë për leje, për ditën e sotme, por ajo i ishte refuzuar.
Në burg u futën menjëherë forcat speciale, të cilat kryen kontrolle të mëtejshme për armë të ftohta, ndërkohë që kanë filluar hetimet për të zbardhur ngjarjen e rëndë.
Siç dihet, kohët e fundit në burgje janë forcuar masat e sigurisë pas informacioneve për trazira të mundshme dhe shkak është projekt-ligji i qeverisë në lidhje me krijimin e një burgu të sigurisë maksimale në Dhomoko. Ka rreth një javë që jashtë burgut të Malandrinos qëndrojnë skuadrat kundër trazirave, MAT./Balkanweb.com/