Uji i pijshem, ndotje jashte standardeve ne pjesen me te madhe te Shqiperise
“Blefsh ujin që pi”, ka qenë një ndër mallkimet më të shpeshta të të moshuarve. S’është dashur shumë që ky mallkim të bëhet realitet, tashmë me ujin e pijshëm jashtë ccdo standardi jetik në pjesën më të madhe të Shqipërisë.
Shtypi sot i ka kushtuar vëmendje infektimit masiv që ka rezultuar pas analizave në ujin e konsumit publik. Mostrat e ujit të marra në muajt e fundit të vitit 2013 kanë rezultuar me ndotje mikrobiologjike, ku është pikasur prania e bakterit E.coli. Shifrat raportohen nga Instituti i Shëndetit Publik, i cili, pas përpunimit të të dhënave të ardhura edhe nga qytetet e tjera konstaton se ndotje e ujit jashtë standardit të lejuar rezulton në Tiranë dhe në 6 qytete të tjera. Vendin e parë për nivelin e lartë të ndotjes e mban qyteti i Koplikut, me plot 47 për qind të mostrave, ndërsa pas tij vjen qyteti i Lezhës, me 26.44% të mostrave të raportuara. Nivele të larta të ndotjes janë konstatuar edhe në Has (23% e mostrave) dhe Peshkopi (13% e mostrave). Disi më i ulët raportohet niveli i E.colit në qytetin e Kuçovës, me 6% të mostrave, dhe në qytetin e Kavajës, me rreth 2% të mostrave të marra. Ndërkohë që, sa i takon muajit tetor 2013, numri i qyteteve me ujë të ndotur është edhe më i lartë. Instituti rendit tre faktorë që ndikojnë në ndotjen e ujit: Amortizimet e rrjetit të brendshëm të ujësjellësit, ndërhyrjet pa kriter në rrjet dhe mosklorinimi i ujit të pijshëm./Respublica.al/