Tirana zhvillon Pedalimin kunder Homofobise, marshohet me flamur ne bulevard
Aktivistë për të drejtat e LGBT dhe mbështetës të kësaj kauze zhvilluan sot për të tretin vit rradhazi Pedalimin Kundër Homofobisë në bulevardin Dëshmorët e Kombit duke sfiduar një mal me paragjykime, por edhe thirrjet për dhunë që grupe të ndryshme kishin javë që bënin në rrjetet sociale.
Pedalimi filloi përballë Pallatit të Kongreseve dhe prej aty aktivistët u drejtuan drejt sheshit Skënderbej të shoqëruar nga forca të policisë, nën drejtimin direkt të zëvendës drejtorit të Rendit dhe Sigurisë Pandi Sulaj.
Më tej, nga Galeria Kombëtare deri në Pallatin e Kongreseve ata mbajtën në duar një flamur rreth 8 metra të gjatë duke shënuar kështu paradën e parë të këtij lloji në Shqipëri.
“Jemi sot këtu edhe për ata djem edhe vajza si ne të cilët nuk mund të jenë sot këtu me ne për shkak të diskriminimit dhe paragjykimeve”, tha Xheni Karaj drejtuese e Aleances LGBT. Ajo mbante gjatë gjithë pedalimit në dorë një megafon me të cilin bënte herë pas herë mesazhe për pjesëmarrësit dhe për qytetarët në boulevard.
Përvec aktivistëve nga Shqipëria në këtë event u bashkuan dhe aktivistë gej shqiptarë nga qytetet e Maqedonisë dhe nga Kosova si dhe përfaqësues të trupit diplomatik.
“Ne jemi këtu për dhënë përmes këtij manifestimi publik mesazhe dashurie dhe paqe. Nuk po bëjmë asgjë të keqe”, tha Kristi Pinderi, drejtues i ProLGBT.
Aktivitetet në kuadër të 17 Majit, Ditës Ndërkombëtare Kundër Homofobisë do të vazhdojnë sot në mbrëmje me shfaqjen e premierës së dokumentarit SkaNdal që tregon historinë e lëvizjes LGBT në Shqipëri. Dokumentari do të shfaqet në kinema Agimi në një ceremoni që do të përshëndetet nga Ministri I Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, z. Erion Veliaj, ambasadori I SHBA, z. Aleksandër Arvizu dhe përfaqësuesi I BE në Shqipëri Clive Rembo.