Pergjigje “intelektualeve” nga nje vajze lezbike
SL shkruan: Përgjigje peticionit të “familjes” dhe fjalëve të “intelektualëve”.
Para se të flas për peticionin doja të përgjigjesha për disa fjali, pyetje apo fraza të dëgjuara në media (dhe të ripërmendura në peticion) dhe mbetur pa përgjigje.
- LGBT është kundër natyrës.
Kundër natyrës është diçka fizikisht e pamundur dhe e dhimbshme, fjala vjen të kapësh veshin me gjuhë është jo e natyrshme, sepse s’e bën dot e para, dhe të tentosh e dyta, shkakton dhimbje. Marrëdhëniet seksuale brenda të njëjtit seks janë të mundura fizikisht, prodhojnë kënaqësi dhe për më tepër dashuri. Natyra i bie të ketë menduar dhe për ne!
- LGBT është kundër Zotit.
Në radhë të parë, shteti është laik, dhe Zoti yt s’përbën argument për mua.
Sipas Leviticus 15:12, ti që përdor dhe tjetërson fjalën e Zotit kundër njerëzve, po mëkaton, dhe po i drejtohem të krishterëve të peticionit. Pastaj po sipas Leviticus, në paragrafet 15, 19, 20 ndalohet ngrënia e lepurit, veshja e dy materialeve të ndryshme njëkohësisht, mbjellja e arrës me dy fara të ndryshme, prekja e një gruaje në perioda, të flesh me gruan e komshiut, ose ndonjë nga gratë e babait etj etj. S’di ndonjë peticion apo nismë ligjore për të shpallur të jashtëligjshme shkeljen e këtyre ndalesave. Dhe ç’thotë Bibla kundër gejve, lidhet vetëm me meshkujt gej, nuk ka asgjë për lezbiket, transgjinoret, biseksualët etj.
Si përfundim, me logjikën e përgjigjes së parë, mund të them, Zoti ka menduar dhe për ne!
- LGBT është kundër traditës shqiptare.
Pa nisur të flas për Ali Pashë Tepelenën dhe Lord Bajronin, doemos që s’është traditë e familjes shqiptare kur homoseksualiteti ka qenë krim nga vitet ’20 deri ne ’95, dhe para tyre në perandorinë osmane gjithashtu. Si mund të kishim ne familje me prindër të të njëjtit seks kur shteti i vriste ata? Po intelektualëve, si duket, s’i pëlqen kjo pjesë, fshehin pjesën e dhunës së ushtruar në ligj ndaj LGBT, dhe e quajnë jotradicionale diçka që ligji e ka persekutuar për shekuj. Dhe sa për histori, LGBT s’ka qenë dikur traditë, me logjikën tuaj, as në Hollandë, Suedi, Danimarkë etj etj. Në po këtë ide, mbase ca burra me mustaqe s’donin t’i linin gratë të votonin fillimshekullin e kaluar, se që kundër traditës. “Kur kështu, gruaja shqiptare analfabete paska të drejtë të shkojë të votojë? Kjo do të na shkatërrojë familjen! Shthurrje perëndimore domosdo!” Sa qesharake ngjan kjo tani, aq qesharak do të ngjajë dhe peticioni juaj, pas 20 apo 30 vitesh!
- LGBT i bën ekzibicion vetes (dhe nuk diskriminohet aspak).
Po aq sa gratë i bëjnë ekzibicion vetes në 8 mars, apo komuniteti rom në 8 prill, apo Toka në ditën e Tokës etj. Sa vetë shkruajnë apo bëjnë peticione në këto data? Asnjë, sepse nuk i ngacmon, nuk i ngjall aq urrejtje sa LGBT. Atëhere, mqs kjo urrejtje u ngjallka, del që LGBT paska punë për të bërë, dhe po, diskriminohet, fjala vjen, thjesht nga peticioni juaj. Nqs jeni të interesuar, mund të futeni në thellësi të problematikës, ashtu siç unë fillova të lexoj Biblën një ditë me shpresën që do të kuptoja urrejtjen tuaj (por jo s’e kuptova, dhe u kujtova madje që Krishti lobonte për dashuri dhe barazi). Unë nuk njoh një person LGBT që të mos ketë qenë të paktën njëherë i paragjykuar dhe diskriminuar për orientimin e tij.
- Shfaqja e LGBT do t’i bëjë njerëzit LGBT.
Po aq saç më bëri peticioni juaj straight! Domethënë… aspak! Në një botë ku gejtë janë persekutuar për shekuj, kanë ekzistuar pavarësisht. Një logjikë e thjeshtë të çon në idenë që në një botë ku straight kanë qenë gjithnjë, s’do të zhduken tak-fak nga zgjerimi i konceptit të martesës.
- Martesa gej konsiston në imponim ndaj shumicës.
Jo, është thjesht zgjerim i saj, një degëz e re në pemë (dhe që do të çelë lule).
- Martesat gej do të shkatërrojnë familjen.
Jo, ju mund të martoheni siç jeni martuar dhe të jetoni të lumtur siç keni jetuar!
- Martesat gej do të sjellin fundin e botës.
Skenar i denjë për filma me zombie, por jo! Unë, lezbike, do të kem fëmijë, me apo pa legalizimin e martesës. Kur gejtë duan kaq shumë të martohen dhe të kenë fëmijë, si do të vijë fundi i botës? Pastaj, sa gra dhe burra janë sterilë dhe kanë të drejtë të martohen? Dhe gejtë nuk janë sterilë aspak! Pse nuk propozohet një ligj që i ndalon të drejtën një sterili të martohet, mqs qenka kundër natyrës dhe Zotit që duan të shtojnë racën? Sepse çdo njeri ka të drejtë të martohet, kaq. Dhe vetëm ky fakt pohon se koncepti i martesës është shumë më i gjerë se thjesht riprodhimi.
- Sa për peticionin ….
Po, e lexova. Lexova dhe listën e firmave.
Gati gjysma e listës (ose dhe më shumë) përbëhej nga njerëz fetarë, me erdhi keq kur kujtova që miq të mi janë besimtarë të Islamit, me hixhab, dhe gjithë traditat, por s’janë aspak paragjykues dhe jo më diskriminues. Pastaj kujtova që fetarët e listës kanë pasur dikur një rini me famë të pajustifikuar, ose rini të çmendur, të shthurur më saktë, dhe përqafuan fenë për t’i ikur vetes dhe dhunës, dhe sot këtë dhunë e hedhin mbi të tjerët.
Gjysma tjetër qe nga njerëz me tituj dhe me vite mbi supe. Më erdhi keq kur kuptova që s’kanë gërrmuar aspak në shekullin e kaluar për të kuptuar ç’po ndodh sot dhe ç’do të ndodhë nesër. Këtë dua të sqaroj, dhe ta sqaroj në fund, për të dyja kategoritë e listës, ose dhe me gjerë.
Në fillimshekullin XX deri në gjysmën e tij filluan të dalin studimet e para shkencore për seksin, dhe në një formë ose tjetër u fol shkencërisht dhe per homoseksualizmin, si pjesë e seksualitetit të njeriut. Jo pa shkak në gjysmën e dytë lindën lëvizje për heqjen e tabuve për seksin, për barazinë gjinore, edukimin seksual etj. Mbase pak më e vonë, lindi dhe lëvizja LGBT. 24 vite më parë homoseksualiteti u hoq nga lista e sëmundjeve. Sot: martesat gej njihen ligjërisht në Hollandë, Suedi, Danimarkë, Belgjikë, Spanjë, Portugali, Kanada, shumë shtete në ShBA, Francë, Angli, Norvegji, Afrikë të Jugut, Islandë, Argjentinë, Brazil, Uruguaj, Zerlandë të Re etj. Në vetëm 24 vite, në perëndim janë ligjëruar martesat gej ose të paktën bashkimi civil, dhe jo vetëm në perëndim ekziston ligji kundër diskriminimit LGBT. Vetëm 24 vite! Tani unë sugjeroj të imagjinoni botën pas 24 vitesh! S’po ju kufizoj imagjinatën me versionin tim, por ju kërkoj fare pak të mendoni, nqs gjithë këto hapa janë bërë nga burgu në martesë dhe mbrojtje ligjore, mendoni që në Shqipëri nga mbrojtja ligjore sa hapa do të kapërcejmë në 24 vitet e ardhshme. Mendojeni!
- Dhe tani, pika ime e fundit, dhe e preferuar, dhe e lidhur goxha me pikën e parafundit: Si do t’ja shpjegojmë fëmijëve ne?
Unë do të thoja para peticionit që ky është problemi juaj dhe fëmijëve do t’ju duhet t’i shpjegoni shumë dhe shumë gjëra përvec gejve. Ose mund t’ju thoja t’i thoni thjesht “njerëzit janë të ndryshëm biri i mamit/babit”. Po pas peticionit më lindi e njëjta pyetje dhe mua, si për ironi. Çfarë do t’i thonë fëmijëve dhe nipërve të vetë firmëtarët e peticionit, kur fëmijët dhe nipërit e vetë do të edukohen me një frymë krejt tjetër dhe do të jenë rinia e atij çastit kaq të frikshëm pas 24 vitesh? Po fëmijëve ç’do t’i thoni?