“Nen te njejten cati” celet ne Muzeun Kombetar
Foto nga revista Time To Act e CRD
Organizata Civil Rights Defenders shfaqi sot pasdite ne Muzeun Historik ekspoziten me foto nga konkursi me fotografi “Nën të njëjtën çati”. Ky konkurs përpiqet të dëshmojë, me anë të fotografive, momente të jetës së përditshmës të Romëve në Shqipëri.
“Nën të njëjtën çati” ka si synim të tërheqë vëmendjen ndaj çështjeve që shqetësojnë komunitetin Rom por edhe synon të kërkojë ndryshimin e stereotipeve, duke u përpjekur të sjellë në vëmendje pasuritë kulturore dhe vlerat e këtij komuniteti në Shqipëri dhe Ballkan. Të gjithë jetojmë nën të njëjtin kulm, të gjithë ndajmë të njëjtën tokë, të njëjtën të ardhme në Ballkan dhe në Shqipëri, pa marrë parasysh kombësinë apo etninë apo dallime të tjera.
“Nëpërmjet kësaj ekspozite sjellim në vëmendje momente të cilat reflektojnë atë çka ky komunitet ka më shumë nevojë, bashkejetesën kulturore, barazi, drejtësi dhe përfshirje sociale dhe bashkëpunimin me pjesën tjetër të popullatës – thotë Xhekson Çela, koordinatori i këtij konkursi pranë organizatës Civil Rights Defenders në Shqipëri.
Mijëra anëtarë të komunitetit Rom jetojnë në Shqipëri, një pjesë e madhe e të cilëve në kushte shumë të vështira social-ekonomike, të shtrirë në shumë vendbanimë në të gjithë Shqipërinë, një pjesë e të cilave janë informale, praktikisht të pastrehë, pa akses në burimet minimale si ujë i pijshëm, energji elektrike apo shërbime të tjera. Komuniteti Rom në Shqipëri konsiderohet si një nga grupet më në nevojë dhe më të diskriminuar.
Ky konkurs eshte zhvilluar njëkohësisht në Kosovë, Shqipëri, Bosnjë-Hercegovinë, Maqedoni dhe Mal të Zi si pjesë e projektit “Rritja e dukshmërisë së grupeve më të diskriminuara në Ballkanin Perëndimor” mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED).