Po tani qe e morem statusin?
Shqipëria ka marrë sot statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian (BE) në mbledhjen e ministrave të jashtëm të vendeve të BE të mbajtur në Luksemburg. Vendimi do të duhet të ratifikohet edhe nga krerët e shteteve të premten, por ky veprim është tashmë vetëm një formalitet.
Megjithatë, për Shqipërinë, vendimi i sotëm duhet të përkthehet në një shtysë për të vazhduar axhendën e reformave. Shqipëria ende duhet të plotësojë kushtët për reformimin e administratës dhe gjykatave, të luftojë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe të punojë më shumë mbi të drejtat themelore të njeriut. Gjithashtu një klimë politike konstruktive duhet të jetë shoqëruese e pandarë e reformave.
Statusi kandidat nuk do të thotë se BE do të hapë menjëherë negociatat për anëtarësim me Shqipërinë, hap i cili kërkon më shumë progres në kushtet e vendosura nga BE.
Kronologjia e marrëdhënieve
Bashkë me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria u njoh si vend potencial për anëtarësim në BE në vitin 2003. Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit hyri në fuqi në 1 prill 2009. Në të njëjtin muaj, Shqipëria dorëzoi aplikimin për anëarësi në BE. Komisioni rekomandoi që Shqipërisë t’i jepej statusi kandidat në Tetor 2013. Ky rekomandim u rikonfirmua në raportin e Këshillit Europian të qershor 2014.
Çfarë do të thotë të jesh vend kandidat në të vërtëtë?
Njohja si vend kandidat i bashkimit Europian ka disa implikime për Shqipërinë. Është një sinjal i fuqishëm politik për vendin dhe qytetarët, i cili tregon se vendi po ecën drejt një faze tjetër në proçesin e integrimit Europian. Nga pikëpamja ekonomike, statusi kandidat do të inkurajojë më shumë investime të huaja, dhe si rrjedhojë rritje të punësimit.
Çfarë na pret?
Komisioni Europian do të vazhdoje të punojë me Shqipërinë, për të mbështetur reformat e mëtejshme dhe për ta pregatitur vendin për hapat e rradhës në proçesin e integrimit dhe hapjen e negociatave të hyrjes në BE. Megjithatë, ministrat e jashtëm kanë theksuar se hapja e negociatave do të varet nga masa të mëtejshme konkrete dhe reformat të qëndrushme në Shqipëri. Gjithashtu, të gjitha vendet anëtare do të duhet të bien dakord mbi hapjen e negociatave.
Marrë nga Tablo: http://tablo-al.com/po-tani-qe-e-morem-statusin/