A ben me sens zgjerimi i BE? Fule i thote Shqiperise: Beni punet, ne do mbajme premtimin…
Me poshte deklarata e komisionerit Stefan Fule per dhenien Shqiperise te statusit kandidat per anetar i BE. “Sot eshte nje dite e mire per zgjerimin”, thote ai. Dhe shton: “dhënia e statusit të vendit kandidat Shqipërisë eshtë një dëshmi e qartë se procesi i zgjerimit është i besueshëm dhe dinamik, dhe se BE-ja u përmbahet premtimeve dhe angazhimeve të saj, kur partnerët japin rezultate në detyrat e shtëpisë lidhur me reformat”.
“Sot është një ditë e mirë për zgjerimin dhe një ditë e madhe për integrimin e Shqipërisë në BE. Shqipëria është një hap më pranë Bashkimit Evropian, një tjetër gur kilometrik i rëndësishëm në rrugën drejt BE-së u arrit.
E mirëpres vendimin e Këshillit të Cështjeve të Përgjithshme për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat. Pres me padurim që ky vendim të miratohet nga krerët e shteteve dhe qeveritë në Këshillin Evropian në fund të kësaj jave.
Dhënia e statusit të vendit kandidat është një rrjedhojë logjike e përpjekjeve të Shqiperisë për reforma. Raporti ynë nga fillimi i këtij muaji dhe vendimi i sotëm i ministrave është pranimi nga ana e BE-së i përpjekjeve të bëra dhe progresit të arritur në rrugën e Shqipërisë drejt anëtarësimit.
Në të njëjtën kohë duhet parë si një nxitje për të vazhduar me reformat ekzistuese dhe ndërmarrjen e reformave të reja, të nevojshme për ta përgatitur Shqipërinë për nisjen më pas të negociatave të anëtarësimit.
Më lejoni të kujtoj se gjatë muajve të fundit Shqipëria ka treguar veprime konkrete dhe ka vazhduar vullnetin politik për të ndjekur procesin e reformave të lidhura me BE-në. Qeveria shqiptare ka vazhduar të zbatojë dhe konsolidojë masat e reformës në reformën gjyqësore, në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Shembulli më i fundit është operacioni i madh policor në Lazarat javën e kaluar për shkatërrimin e kultivimeve të kanabisit në zonë.
Që Shqipëria të përparojë më tej në udhën e saj të integrimit në BE, ka ende përpara sfida të mëdha. Shqipëria do të duhet të vazhdojë dhe të konsolidojë përqasjen e saj sistematike ndaj reformave, të trajtojë të metat ekzistuese dhe të përballet me sfidat e mbetura në lidhje me BE-në.
Për ta përmbyllur, dhënia e statusit të vendit kandidat Shqipërisë eshtë një dëshmi e qartë se procesi i zgjerimit është i besueshëm dhe dinamik, dhe se BE-ja u përmbahet premtimeve dhe angazhimeve të saj, kur partnerët japin rezultate në detyrat e shtëpisë lidhur me reformat.”