Ina Rama: Kur ma ofroi KLD postin e gjyqtares? Ne kafe?
Ish- Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, e cilëson të kundraligjshëm dhe të dhënë nën ndikim, vendimin e Gjykatës Administrative, që rrëzoi padinë e saj, duke e lënë për momentin jashtë radhëve të sistemit të drejtësisë.
“Jam njohur me vendimin e Gjykatës Administrative, e cila vendosi të rrëzojë padinë time. Në vendim, Gjykata Administrative nuk argumenton nëse ishte ose jo e drejtë kërkesa ime, por shprehet se nuk mund të ndërhynte në vendimmarrjet e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Jam e surprizuar nga ky vendim, pasi gjykata nuk arsyeton fare nëse kërkesa ime është apo jo konform ligjit, por e konsiderojnë Këshillin e Lartë të Drejtësisë, si një “tokë të paprekshme”. Gjykata nuk merr përsipër që të kontrollojë vendimin e KLD-së, sikur KLD, të ishte zoti në tokë dhe një organ i pakontrollueshëm. Në një kohë që Gjykata Administrative, u ngrit për këtë qëllim, për të kontrolluar ligjshmërinë e vendimmarrjes së organeve administrative, qoftë dhe të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Gjykatat kanë shfuqizuar dhe më herët dekrete të Presidentit të Republikës, vendime të KLD-së, ku gjykatës të ndryshëm janë shkarkuar apo kanë marrë masë disiplinore. Në rastin tim, gjykata shprehet se nuk mund të ndërhyjë në vendimmarrjen e këtij institucioni, të cilin e konsideron si të paprekshëm”, tha Ina Rama.
Në një intervistë për GSH, ish- shefja e organit qendror të akuzës, thekson se Këshilli i Lartë i Drejtësisë gënjen në mënyrë të turpshme, kur thotë se i ka ofruar asaj postin e gjyqtares në Apelin e Krimeve të Rënda.
“Kam një pyetje publike për t’i bërë Këshillit të Lartë të Drejtësisë: Kur dhe si ma kanë ofruar një detyrë të tillë? Në kafe? Në kulisa? Në çfarë forme i bëjnë ofertat? Oferta kafesh? Ina Rama pret një përgjigje zyrtare, sepse zyrtare është dhe kërkesa ime”, thekson Rama.
Marrë nga gazetatema.net