Matura 2014, hiqet formulari A3, dy faza fituesish
Reformimi i procesit të maturës shtetërore ka ndryshuar një pjesë të mirë të rregullave të saj, siç është së fundmi edhe përjashtimi i formularit A3. Kështu, të gjithë ata që nuk rezultojnë fitues në një prej dhjetë degëve, që do të listojnë në formularin A2, do të presin një vit, për të rikonkurruar. Kjo, pasi, sivjet, gara e pranimeve në universitetet publike të vendit do të mbyllet me formularin A2. Ndryshe nga praktikat e ndjekura gjatë maturave të viteve të mëparshme, sivjet Ministria e Arsimit ka vendosur që të mos ketë më një raund të tejzgjatur të pranimeve në universitete. Ndërkohë, për të gjithë maturantët, të cilët po presin të nisin seriozisht garën në një prej fakultete të vendit, bëhet e ditur se sot në shkolla do të nisë plotësimi i formularit A2, tek i cili kandidatët do të rendisin degët, ku dëshirojnë të ndjekin studimet e larta, po sidomos ato degë ku probabiliteti për të fituar është më i madh. Specialistët e Agjencisë Kombëtare të Provimeve këshillojnë të gjithë maturantët të ndjekin rrugën më efikase për përzgjedhjen e degëve, ato te të cilat, sipas pikëve që ka grumbulluar secili, ka më shumë gjasa për të qenë fitues. Kjo thirrje vlen për ata kandidatë për studentë, të cilët udhëhiqen nga dëshira, duke rrezikuar përzgjedhjen e degëve, që janë larg mundësisë së tyre, për ta ndjekur në të ardhmen. Sikurse është konfirmuar edhe nga drejtues të lartë të Ministrisë së Arsimit, këtë vit nuk do të ketë formular A3 për të korrigjuar gabimet e formularit A2 ndaj apelohet dhe këshillohet, që duhet të bëjnë kujdes në përzgjedhjen e degëve në formularin e preferencave, pasi nuk do të ketë më kthim mbrapa.
Specialisti i Agjencisë Kombëtare të Provimit (AKP), Arben Fagu, këshillon studentët që të tregojnë shumë kujdes në përzgjedhjen e preferencave. “Preferenca e parë, e dytë dhe e tretë mund të tolerohen që të jenë më poshtë me pikët e fituesit të fundit të vitit të shkuar, me shpresën se do të ulen pikët. Dhe unë besoj që do të ketë ulje për shkak të forcimit të kontrollit gjatë administrimit të provimeve dhe rezultateve të ulëta të maturantëve, por në të katërtën pastaj duhet të kesh programe studimi që i kapërcen, je mbi to. Sepse nëse një kandidat e ka të rreshtuar një program studimi të 10-in në preferencë dhe dikush e ka të parin, por ai që e ka të fundit ka 0,1 pikë më shumë se ai që e ka preferencë të parë, e fiton ai që e ka preferencë të 10, jo maturanti tjetër”, shpjegon Fagu. Nuk dihet ende me saktësi se cilat do të jenë degët që do të përzgjidhen më së shumti këtë vit, por specialistët ngrenë dyshime se edhe sivjet degë preferenciale do të vazhdojnë të mbeten: Drejtësia, Mjekësia, Ekonomia, Shkencat Politike, Gazetaria dhe Gjuhët e Huaja. Kjo referuar përvojave të viteve të kaluara, edhe pse ndryshe nga më parë, ekspertët e AKP-së, ngrenë dyshime se gjërat mund të ndryshojnë, duke marrë parasysh faktin se deri më tani ndryshimet që prekën Maturën Shtetërore 2014, ndikuan rrënjësisht jo vetëm në rritjen e cilësisë, por edhe në mendësinë e nxënësve për të fituar atë që meritojnë. Shpresa Mezini
Marrë nga gazeta-shqip.com