Zhdukja e pamjeve filmike nga vjedhja ne Thesar/ Sistemi u instalua nga banka, jo nga privatet
Punonjës të tjerë të Bankës së Shqipërisë mund të merren në përgjegjësi penale në lidhje me “zhdukjen” e pamjeve të filmuara nga kamerat e sigurisë.
Prokuroria, e cila po heton skandalin e vjedhjes së 713 milionë lekëve nga dy arkat e Thesarit të Bankës, ka marrë në dorëzim në fund të korrikut vetëm regjistrimet e një muaji.
Specialistët e bankës u kanë pohuar përfaqësuesve të organit të akuzës se sistemi i kamerave në Bankë ka kapacitet për të mbajtur vetëm 30 ditë regjistrime.
Pas mbushjes së hapësirës së memories, sistemi fshin vetë automatikisht ditët paraardhëse duke ruajtur 30 ditët e fundit. Ky fakt duket se pengon hetimin e prokurorisë, e cila dyshon se vjedhja e 713 milionë lekëve nga banka ka ndodhur së paku gjatë vitit të fundit.
Në dëshminë e tij, Ardian Bitraj, ish-përgjegjës i arkës stok, i akuzuar direkt për vjedhjen, ka thënë se krimi ka zgjatur katër vjet.
Javën e kaluar një burim i prokurorisë konfirmoi se grupi i hetimit do t’i kërkonte bankës të dhëna për çështjen e kamerave të sigurisë.
Konkretisht, prokuroria kërkoi “personat përgjegjës” që kanë instaluar sistemin dhe që më pas kanë pasur për detyrë mbarëvajtjen e funksionimit të tij.
Fillimisht u mendua se instalimi i kamerave dhe serverit të lidhur me to ishte bërë nga një kompani private, por sipas prokurorisë, e vërteta është ndryshe.
Burimet nga organi i akuzës kanë bërë me dije për gazetën Panorama se pas blerjes së serverit dhe të pajisjeve të tjera, sistemi është instaluar dhe mirëmbahej nga punonjës të Bankës së Shqipërisë.
Verifikimi ka zbuluar faktin se kanë qenë punonjës të sigurisë dhe teknikës që kanë konfiguruar sistemin e kamerave në fjalë.
Organi i akuzës pohon se sipas rregulloreve, sistemi në fjalë, për rëndësinë e veçantë të institucionit, duhej të garantonte ruajtjen e pamjeve filmike për një periudhë deri në tre vjet.
Marrë nga gazetatema.net