Pse meshkujt nuk i mbulojne fytyrat e tyre
Ne luanim të gjithë bashkë në kopshtin e tezes kur ishim të vegjël … vajza dhe djem, nuk kishte asnjë dallim … ne u rritëm së bashku … luanim, qeshnim … ndonjëherë ziheshim me shaka … shihnim TV së bashku … filluam të studiojmë në klasat tona së bashku … shpesh herë kërcënonim se do ta spiunonim njëri tjetrin tek mësuesit … qeshnim me gjithë zemër me njëri tjetrin…
Dhe kështu ditët kalonin …
Kushërira ime dhe unë po shohim nga dritarja … po shohim kopshtin ku kushëriri im dhe miqtë e tij janë duke luajtur … aty ku luanim së bashku … ato ishin miqtë tanë njëherë e një kohë … këta janë djemtë me të cilët kemi luajtur… çfarë ka ndodhur? Pse ne jemi burgosur në shtëpi, ndërsa ata luajnë jashtë të lirshëm … çfarë kemi bërë? Mos u rritëm? A ndryshuan trupat tanë? A jemi bërë objekt tundimi që duhet të fshihemi nga sytë e njerëzve? Nuk janë ata djemtë që i njohim që fëmijë? Çfarë ndryshoi? Pse jemi të huaj? Pse unë vrapoj dhe fshihem sa herë që dëgjoj një nga zërat e tyre? A është vetëm për shkak se zërat e tyre ndryshuan? Prandaj nuk jemi më miq? A duhet të veprojmë ndryshe me njëri- tjetrin? Kushërira ime dhe unë filluam të kalonim kohën tonë të lirë duke parë telenovela si gra 50 vjeçare …
Dhe kështu ditët kalonin …
Jam në shkollë … po mësojmë se çfarë duhet të mbulojë një grua … flokët e saj janë tundim … vetullat e saj janë tundim … mu kujtua këngëtari im i preferuar… edhe sytë e tij janë shumë të bukur … flokët e tij janë të bukur … pse ai nuk ka shami? Nuk gjeta përgjigje … M’u kujtua se nuk dola më për të luajtur në kopsht, pasi arrita pubertetin … po ata nuk e arritën pubertetin vallë? Pse nuk u burgosën dhe ata në shtëpi? Prapë nuk munda të gjeja përgjigje…
Dhe kështu ditët kalonin …
E dëgjoj gjatë gjithë kohës … “Gruaja është gur i çmuar që ka nevojë të mbrohet (p.sh. të mbulohet)” … dhe ndonjëherë thuhet edhe se një grua është si karamele “nëse i hiqni letrën (dmth shaminë) mizat do mblidhen rreth saj “… hap tv dhe shoh këngëtarin tim të preferuar me flokët e tij të butë të mëndafshtë dhe bukurinë e tij … krahët e tij janë të zhveshur … gjoksi i tij është i zhveshur … pse nuk është ky objekt tundimi i mbuluar? Pse ai nuk burgoset në shtëpi? Pse nuk janë gratë të tunduara prej tij? Disa mund të thonë se një grua nuk duhet të shikojë këto gjëra… atëherë a nuk duhet që meshkujt të heqin shikimin e tyre kur shikojnë një femër “objekt” joshëse? Nuk munda të gjeja përgjigje …
Dhe kështu ditët kalonin …
Jam në universitet … Shoh disa njerëz që shpërndajnë një libër të vogël fetar … “Tundimet e një gruaje” … flokët e saj … këmbët e saj … sytë e saj, dhe “në këtë mënyrë, një grua duhet të mbulojë një nga sytë e saj pasi të dy bashkë janë joshës”… betohem, kjo është ajo që lexova në këtë libër. Vërejta se në vendin tim çfarëdo të kishte veshur dhe sado të ishte mbuluar një grua, vështrimet e meshkujve nuk do të ndalonin.
Dhe kështu ditët kalonin…
Jam në një vend perëndimor … gra ecin rreth meje … njëra ka veshur pantallona … tjetra është veshur me një fund të shkurtër … një tjetër ka veshur pantallona të shkurtra … burrat dhe gratë ecin krah për krah … kjo është e çuditshme … askush nuk ja ngul sytë njeriu … pse nuk i shoh vështrimet e meshkujve që shihja në vendin tim? Ato vështrime që e bëjnë një grua të ndjehet e zhveshur … ato vështrime që i urreja … ato vështrime që më mohonin humanizmin tim … pse nuk i shoh ato vështrime këtu ? Të gjitha gratë janë të veshura mirë … pse nuk i shoh ato vështrime edhe pse të gjitha gratë këtu janë tërheqëse? Pashë një grua që vraponte dhe qeshte … mu kujtua se mua nuk më lejohej të vrapoja kur arrita pubertetin … mu kujtua dritarja e tezes … mu kujtua se unë ishte një objekt tundimi që duhet të mbulohet … mu kujtua se një mashkull në vendin tim mund të vishet me të bardha, ndërsa unë jam e mbuluar në të zeza … pyeta veten, pse burrat nuk veshin të zeza? Pse burrat nuk i mbulojnë fytyrat e tyre? Dhe nuk munda të gjej përgjigje …
Dhe kështu ditët kalojnë …
http://www.yourmiddleeast.com/columns/article/why-dont-men-cover-their-faces_10547