A ka faj FSHF per kete qe ndodhi?
Nga redaksia e lapsi.al
Përtej gjakrave të ndezur dhe zëmërimit që ka kapluar tifozët shqiptarë, nga gjykimi i komisionit disiplinor të UEFA-s, Serbia doli më e rënduar se ne. Nëse ne i humbëm tre pikët as dhe serbët nuk i morrën ato. Përpos kësaj, fusha e tyre u dënua dy ndeshje pa tifozë dhe gjoba qe e njëjtë. Po të mendosh që kjo ishte një ndeshje që luhej në Beograd dhe se serbët mendonin të merrnin 3 pikë në klasifikimin e përgjithshëm, pa diskutim që ata dalin më të dëmtuar nga gjithë kjo histori. Por, prapë shumë tifozë shqiptarë ndihen sot të frustruar, se në thelb, edhe pse Serbia dënohet më shumë, vendimi është tejtet asmimetrik. Ai dënon njësoj agresorin me viktimën.
Por, përtej këtij frustrimi, tani është momenti për të menduar me kthjelltësi: a mund të bënim ne më shumë dhe a mund të vepronim më mirë? Përgjegjësitë për këto pyetje bien mbi FSHF-në. Si u morr vendimi për bojkotimin e ndeshjes? Kush vendosi? A u pyet ndonjë jurist, njohës i rregullave të UEFA-s? A ka nëndojë të tillë federata jonë dhe a kishim një të tillë në Beograd? Po pas propozimit serb për të larguar tifozët dhe vazhduar ndeshjen, si do të duhej të reagonim? A duhet të kishim qëndruar po aq kokëfortë në këmbëbënguljen tonë? Po kur arbitri na tha se loja mund të vazhdonte, si duhet ta kishim interpretuar këtë sinjal? A pyeti kush se si qe vepruar në botë në raste të ngjashme, përpara se të merrnim vendimin ? Për të gjitha këto publiku shqiptar nuk ka ende përgjigje, sepse edhe vetë drejtuesit e FSHF-së nuk kanë përgjigje.
Me sa duket ata kanë vepruar në mënyrë emocionale dhe jo profesionalisht. Dhe pavarësisht padrejtësisë të UEFA-s, me paaftësinë e tyre, ata e kanë ndihmuar qeverinë e futbollit europian të marrë një vendim, sipas shqiptarëve të padrejtë. Kështu që sëbashku me shprehjen e dufit kundër padrejtësisë, këto ditë duhet të shërbejnë edhe me kërkesat për një reformim të shpejtë të FSHF-së, ku duhet të ketë më pak njerëz kokëtrashë që dijnë vetëm të votojnë me dorën ngritur dhe më shumë profesionistë, me gjuhë të huaja dhe njohës të ligjeve dhe rregullave ndërkombëtare.