Pse unë si burrë kam nevojë për feminizmin
“Unë jam feminist.” Kjo deklaratë ka shkaktuar shumë reagime kur vjen prej meje, një mashkulli.
Atëherë, pse jam feminist? Arsyet kryesore përfshijnë një dëshirë të zjarrtë e të thellë për drejtësi sociale dhe barazi, si dhe dëshirën për një shoqëri më pragmatike e cila i jep më prioritet meritës sesa dallimeve sipërfaqësore.
Por unë jam feminist nga perspektiva e fuqizimit mashkullor. Pyetjes së zakonshme dhe shumë konfrontuese “po meshkujt dhe të drejtat e tyre?”, sa herë që dikush flet për gjendjen e grave, mund ti përgjigjet shumë lehtë me “feminizmi është zgjidhja.”
Kështu që, unë jo vetëm që dua të jem feminist, por si mashkull, unë kam nevojë të jem feminist.
Unë kam nevojë të jem feminist, për shkak të pengesave formale dhe joformale të lirive dhe të individualitetit të meshkujve që janë të përcaktuara dhe të fortifikuara nga patriarkalizmi.
Se si “supozohet të jenë” meshkujt është rrënjosur në kokat tona që para se të jemi aq të mëdhenj për të luajtur me lodra. Të fortë, të pavarur, konkurues, logjikë, racionalë; ose ata kthehen në arrogantë, autoritarë, posesivë, mendjengushtë, të pandjeshëm në vend të cilësive të lartpërmendura.
Çdo devijimi(i qartë) nga ky “njeri ideal” (i cili, që të jem i sinqertë, më frikëson), vihet në dyshim dhe gjykohet. Meshkujt, në vend të jenë në një mjedis që nxit plotësisht individualitetin e vërtetë dhe i inkurajon ata që të përqafojnë veten e tyre, në të vërtetë vihen nën presion që të binden se duhet të jenë si supozohet të jenë.
Unë kam nevojë të jem feminist, sepse më duket e patolerueshme që çdo ditë, gratë vuajnë nga ngacmimi seksual, abuzimi seksual dhe përdhunimi në përmasa masive, me drejtësi që rrallëherë vihet në vend.
Më duket tronditëse që gratë, gjysma e popullsisë, duhet të kuptohen, ti përmbahen një “orari përdhunimi” – ti shmangen rrugicave dhe vende të caktuara, të kthehen në shtëpi para një kohë të caktuar, të mos ecin vetëm – për shkak të frikës së tyre prej gjysmës tjetër të popullsisë.
Si qënie njerëzore, ne jemi kafshë shoqërore, të tërhequr natyrshëm për të jetuar në grupe. Si mundet një rend shoqëror të konsiderohet i dëshirueshëm, kur gjysma e popullsisë është e frikësuar nga gjysma tjetër?
Unë kam nevojë të jem feminist, sepse përveç neverisë time për padrejtësinë e tmerrshme që akuzon viktimën, akti i trishtueshëm dhe shumë i zakonshëm që fajëson një grua kur e përdhunojnë shërben vetëm për të portretizuar meshkujt si fanatikë oportunistë të çmendur pas seksit që natyrisht nuk kanë aspak vetë-kontroll, me një mospërfillje psikopateske për dhimbjen dhe vuajtjet e njerëzve, gjithçka në kërkim për të kënaqur ndonjë tërbim të pakontrollueshëm seksual.
Duke zhvendosur fajin nga një individ kriminel, në një aspekt të qenësishëm brenda gjinisë mashkullore që gratë duhet të presin dhe të përgatiten për dhimbjen e fajësisë, është ai lloj i gënjeshtrës që shërben vetëm për të imponuar artificialisht frikën dhe ndarjen.
Unë kam nevojë të jem feminist, sepse viktimat meshkuj të dhunës seksuale apo dhunës në familje janë edhe viktima të një rendi patriarkal që vrenjtet mbi “dobësitë”, kur ato vijnë nga burrat.
Kjo tabu e lindur nga egot e vetë-fryra shkakton shumë viktima meshkuj që tallen, përqeshen, ose nuk merren seriozisht, apo siç ndodh më shpesh, i parandalon ata që të raportojnë ose të flasin për gjendjen e tyre.
Sepse një mashkull nuk lejohet të jetë “i dobët”, veçanërisht para një gruaje. Kjo bie në kundërshtim me disa rende natyrore të përcaktuara arbitrarisht në mënyrë artificiale.
Në të njëjtën mënyrë, një mashkull nuk lejohet të ketë nevoja emocionale, të paktën jo sa një grua, si për ndarje në dy pjesë të rreme të arsyes përballë emocioneve, të cilat i atribuohen kryesisht dhe të ndara një gjinie.
Unë kam nevojë të jem feminist, sepse në rastin se do të bëhem me një vajzë, unë dua për të, siç do të doja për një djalë, të rritet në një mjedis ku ajo mund të luajë me çfarëdo lodrash ajo do të preferonte, të studiojë çfarëdo dëshiron , të jetë me këdo që ajo do, të aspirojë të bëhet çdo gjë që ajo dëshiron – unë dua që ajo të ndjehet e lirë të jetë ajo që është, pa norma të vjetruara, tradita, zakone, dhe role gjinore që i venë shkopin në rrota.
Këtë, unë do ta doja për çdo individ pa dallim gjinie apo identifikimi gjinor. Kjo liri është ajo që mund të krijojë pasuri dhe madhështi në shoqëritë tona.
Unë kam nevojë të jem feminist, sepse kam nevojë të besoj se meshkujt mund të bëhen fleksibël, mendje hapur, të ndjeshëm, të dhembshëm, të mirë, të respektueshëm ndaj motrave të tyre.
Unë kam nevojë të jem feminist, sepse është koha që ta hedhim patriarkatin mënjanë, si dhe disa perceptime mendjengushta të pushtetit që shqetëson shoqëritë tona në të gjitha frontet dhe jo vetëm në lidhje me seksin dhe gjininë .
Unë kam nevojë për feminizmin, sepse emancipimi femëror është përmirësimi i njerëzimit, sepse fuqizimi i tyre është fuqizimi im, sepse liria individuale për të gjithë është liria ime.
Marrë nga Everydayfeminism.