Horoskop qeveritar?
Nga EDMOND TUPJA
Pa pikë dyshimi që Horoskopin në Shqipëri e solli shembja e regjimit hoxhist dhe ngadhënjimi, ndonëse tejet e vonuar, i demokracisë. Jemi tani të lirë të besojmë jo vetëm në Perëndi apo në Zot, por edhe tek astrologjia, pra, tek yjet dhe te shenjat e Zodiakut, të cilat ushtruakan një ndikim të pashmangshëm te fati i njeriut shqiptar (homo albanicus) që sapo del nga barku i nënës, madje ndoshta që në ngjizjen e tij. Shumë njerëz i besojnë Horoskopit të tyre, të tjerë janë dyshues, të tjerë akoma nuk e përfillin, të tjerë, së fundi, tallen me atë dhe me ata që kapen pas atij, Horoskopit, me dhëmbë e me thonj në kërkim apo në pritje të një fati më të mirë në jetë, madje ndoshta edhe pas vdekjes, sado e largët t’u duket ajo. Sigurisht Horoskopi u drejtohet veçmas individëve të së secilës shenjë zodiakale; deri më sot nuk është parë dhe as dëgjuar që Horoskopi t’i drejtohet një klase apo një shtrese shoqërore, një krahine, një vendi, një kombi apo një kombësie, një rajoni, një race apo një kontinenti të veçantë. Në vazhdën e këtij arsyetimi, besoj se lexuesi im mirëkuptues do ta pranojë faktin se aq më pak Horoskopi u drejtohet grupimeve politike të majta, të djathta apo të qendrës, sic janë partitë dhe vipat e rripat e tyre të transmisionit.
Për rrjedhojë, nuk është parë ndonjëherë që në faqet e gazetave dhe ne ekranet e televizioneve tona të jepej e të jepet Horoskopi ditor, javor, mujor apo edhe vjetor me parashikime dhe sugjerime të dobishme për qeveritë tona të ndryshme që nga viti 1991. Ky konstatim mund të shpjegojë në njëfarë mënyre dhe deri diku (po deri ku më saktë?) përse qeveritë tona të njëpasnjëshme, që nga viti 1991 e këtej kanë bërë gabime, shmangie, përplasje, lajthitje e shkalafitje plot e përplot me pasoja jo vetëm të pakëndshme, por herë pas here, edhe të rënda për sovranin popull, qoftë kur kanë pretendruar se me ato, do të fitonin të gjithë ose do të rilindnin të gjithë.
Sepse, sikur astrologët e sidomos astrologet, përfshirë edhe tanët e sidomos tonat, të kishin krijuar një Horoskop apostafat, enkas, kastile, nergut, e qellimisht për cdo qeveri, d.m.th më konkretisht për kryeministrin e saj dhe ministrat, zëvendësministrat e drejtorët e departamenteve të dikastereve ministrore, atëherë punët, me shumë gjasë, do të kishin shkuar shumë më mirë për qeverinë, pra, edhe për sovranin popull, edhe sot Shqipëria e re, e rilindur, ajo e një gjenerate tjetër me një gjeneral në krye, do ta kishte parë veten në ballë të vendeve më të përparuara.
Do ta kishte parë veten në këtë pozicion, oh, aq të lakmueshëm, sepse, sot, do të ishin hapur aq vende pune, dhe jo vetëm treqind mijë, saqë do të punësoheshin në uzinat e fabrikat tona jo vetëm qytetarët e Republikës së Shqipërisë, por edhe ata të Republikës së Kosovës, edhe ata të trevave të populluara me shqiptarë në Maqedoni e Mal të Zi, madje, do të zgjidhej edhe problemi i emigrantëve klandestinë në Europë, SHBA e gjetiu, por sidomos në Mesdhe, ku i gjori ishull italian i Lampeduzës do të merrte frymë lirisht pas kaq e kaq valësh migratore tronditëse me epiqendër në Afrikë; nga ana tjetër, dhe në të mirë të gjithë të punësuarve në fjalë, shqiptarë e të huaj, komunitarë dhe ekstrakomunitarë, mjekësia shqiptare do të bëhej vërtet falas për fuqinë punëtore, përfshirë edhe atë qeveritare, të krejt rruzullit tokësor. Në trajtë përfundimi fantastik high definition, mund të pohoj se kjo përvojë unikale e shtrirë kështu edhe në shkallë planetare (pse jo një ditë edhe ndërplanetare!) do t’i ndryshonte kryekëput fatet e mbarë njerëzimit!
Për këtë arsye astrologët tanë dhe astrologet tona duhet patjetër të marrin nismën madhërisht humanitare për thirrjen e mbajtjen e një Kongresi botëror të astrologëve e të astrologeve të të gjitha tendencave në kryeqytetin tonë së shpejti të lavdishëm, me synim krijimin e një Horoskopi në dobi e përdorim të qeverive në mënyrë që të parashikohen zgjidhje fatlume për të ardhmen e tërë popujve kudo qofshin ata, por sidomos në Ballkanin tonë, në këtë ballkon ballëhapur tash e tutje të pashmangshëm, ku një vend i veçantë nderi e prestigji do t’i takojë qeverisë aktuale shqiptare, dorëzania e së cilës për suksesin e kësaj ndërmarrjeje nuk mund të vihet aspak në dyshim dhe do të shkruhet me shkronja të arta midis yjeve më të ndritshëm të Galaktikës sonë që fugon galopthi drejt përjetësisë përfundimtare!
/Panorama