Shqipëria prodhon për herë të parë pasaporta biometrike për azilantët
Prodhohen për herë të parë në Shqipëri pasaportat për të gjithë të huajt që kanë përfituar statusin e azilantit dhe mbrojtjes plotësuese në Republikën e Shqipërisë. Dokumentet e reja biometrikë të identifikimit janë ngjyrë blu ndryshe nga pasaporta e kuqe për shtetasit shqiptar.
Një refugjat i pajisur me këtë pasaportë mund të udhëtojë lirshëm brenda dhe jashtë shtetit, i cili ka pranuar t’i sigurojë mbrojtje atij. Kjo pasaportë i ndihmon azilantwt që të përfitojnë arsimim, trajnim apo punësim, si dhe bashkim familjar.
Qeveria shqiptare kryen kështu edhe një detyrim sikurse dhe një shërbim të shtuar ndaj personave që bien nën ombrellën e Konventës për Statusin e Refugjatit të vitit 1951 dhe Protokollit të saj të vitit 1967, por dhe të Konventës në lidhje me Statusin e personave pa shtetësi. Nga 148 shtete palë të Konventës së Gjenevës, në lidhje me statusin e refugjatit, Shqipëria renditet në listën e vetëm 32 shteteve që e ofrojnë dhe konkretizojnë ketë të drejtë.
Prodhimi i këtyre dokumenteve biometrike (letërnjoftim elektronik për të huajt dhe dokument udhëtimi) u krye në Qendrën e Personalizimit, me standarde të larta sigurie dhe teknologjinë e fjalës së fundit.