Edhe Shqipëria në listën e “The Huffington Post” për “Artin e rrugës”
“The Huffington Post” ka publikuar në faqen e tij, një galeri fotosh nga vende të ndryshme të botës, ku shpaloset arti i rrugës, mes të cilëve është edhe Shqipëria. Duket se arti i bashkon të gjithë shtetet, duke nisur nga vendet më pak të populluara e të zhvilluara deri tek ato që njihen si superfuqi botërore.
Ai që njihet si “arti i rrugës”, gjen kudo ambjentin për tu shfaqur, ndonëse në vendet e vogla nuk është aq i zhvilluar sa në vëndet e mëdha e të urbanizuara.
Në këtë galeri fotosh , janë 196 vende nga të gjithë skajet e botës, ndër të cilët Afganistani, Argjentina, Australia, Bangladeshi , Belgjika, Kanadaja e plot vende të tjera, të cilat në një farë mënyrë duket sikur nëpërmjet kësaj forme të të shprehurit, shpalosin edhe kulturën e vendit të tyre.
Një mënyrë kjo për të treguar se ndonëse ka dallime mes popujve, të gjithë e pëqejnë të bukurën, të gjithë e pëlqejnë artin, e lehtësisht mund të gjenden gjëra që na bashkojnë. /ATA