Ngujimi i nepalezeve në “kasollet e ciklit menstrual”
“Ritual” i përmuajshëm
Kështu vepron nga pesë ditë çdo muaj. Sabrita tashmë është mësuar me këtë mënyrë jetese. “Ne nuk na lejohet të kthehemi në shtëpi. Madje as që të shkojmë e të marrim bukë e ujë. Nuk na lejohet as të lutemi, sepse konsiderohet se nuk jemi të pastra”, thekson Sabrita, duke kthyer kokën në drejtim të shtëpive poshtë fshatit. Ajo nuk mund as të kërkojë ndihmën e mjekëve tradicionalë të zonës.
Por halli më i madh i Sabritas dhe të gjitha grave është se nuk u lejohet të prekin as fëmijët e tyre. Këto ndalesa janë të bazuara në traditën antike të njohur si “chhaupadi”. Kuptimi i kësaj kompozite të përbërë prej dy fjalëve lokale do të thotë “të jesh e paprekshme.
Ajo jeton në një shtëpi në gjendje të mjerueshme. Është pothuajse kasolle. Ajo ka dy fëmijë, dy lopë dhe disa pula. Megjithatë pesë ditë në muaj e ka të ndaluar të flejë me fëmijët e saj. Gjumin duhet ta bëjë në të ashtuquajturën “kasolle të ciklit menstrual”.
Në dëborë e shi
“Duhet të flej në kasolle gjatë kohës së dimrit e të verës. Është hapësirë e vogël. Mezi arrij ta mbledh trupin, sepse nuk mund t’i shtrij as këmbët”, thekson gruaja. “Madje kam parë edhe gjarpërinj përreth kasolles”, thekson Sabrita, duke treguar netët e gjata kur kasollja i vërshohet prej ujit në kohën e rreshjeve të shiut.
Pse femrat në shekullin 21 ende u përmbahen këtyre rregullave të ashpra? A e respektojnë ato këtë traditë me vullnetin e tyre të lirë? Pema Lhaki, avokate e të drejtave të njeriut nëpër vende të ndryshme, mundohet të kërkojë përgjigje. Ajo ka më shumë se dhjetë vjet që i lufton me mish e me shpirt tabutë që ende nuk po i hiqen qafe vendit të saj.
“Njerëzit duhet të mësohen se kjo është gjë normale. Dhe cikli menstrual është diçka që vetëm i fuqizon femrat. Ajo thotë se duhet edhe burrat ta kuptojnë se gratë nuk duhet të veçohen dhe të turpërohen për shkak të ciklit menstrual”, thekson ajo.
Zgjidhje alternative
“Chhaupadi: praktikohet kryesisht në zonat malore në pjesën perëndimore të Nepalit – rreth 1.100 kilometra nga kryeqyteti Kathmandu.
Kështu ndodh edhe në zonën malore të Rikhadas. Si gjithë burrat e zonës së tij, edhe Bahadur Nepali punon në Indi. Ka ardhur të qëndrojë vetëm disa ditë te familja. Ai flet me krenari se gruaja dhe të bijat e tij nuk kanë pse të qëndrojnë natën në kasolle dhe të rrezikojnë jetën e tyre. Ka gjetur një alternativë tjetër. Ai ka ndërtuar një “odë për ciklin menstrual” poshtë shtëpisë së tij. Ajo është rreth një metër e gjysmë e gjatë dhe një metër e gjerë. Gjithçka është prej dheu.
Në emër të Zotit!
Ndonjëherë edhe tri a katër femra duhet të ndajnë të njëjtën hapësirë. “Por u lejohet të sjellin batanije që të kenë njëfarë rehatie”, thekson Bahaduri Nepali. Ai ka një shpjegim të thjeshtë për të treguar se pse cikli menstrual trajtohet në këtë mënyrë.
“Ne i mbajmë vajzat jashtë shtëpisë për hatër të Zotit. Dhe nuk është mirë që ato të mbahen brenda gjatë kohës sa kanë gjakderdhje”.
“Chhaupadi” ka prejardhje fetare. Është i lidhur me parimin indian të ritualit të pastërtisë. Thuhet se femrat e humbin këtë pastërti gjatë ciklit menstrual, mbase për shkak se krerët fetarë nuk kanë tjetër arsye për ta shpjeguar rrjedhjen e gjakut çdo muaj. Ata e konsiderojnë ciklin menstrual si diçka supernatyrore, kështu që e kanë shpallur ciklin menstrual të papastër dhe kanë urdhëruar që gratë të distancohen prej shoqërisë së tyre.
Vdekja në kasolle
Aktivistja Pema shpeshherë i ka bërë këto diskutime me vajzat dhe gratë e zonës. Të gjitha thonë se nuk është se u pëlqen jeta e distancuar prej bashkësisë. Por nuk kanë ndonjë mënyrë për të protestuar.
“Nuk e di nëse besojnë, por frikësohen se nëse do të ndërmerrnin diçka për të kundërshtuar këtë mënyrë të trajtimit të tyre gjatë kohës së ciklit menstrual, do t’u ndodhte diçka e keqe”, ka deklaruar Pema.
Braktisja e shkollës
A nuk do të preferonte ajo të qëndronte në shtëpi me prindërit edhe gjatë ciklit menstrual? “Do të doja, por kështu është tani”, thekson rioshja. Kjo frikë i ka kushtuar me jetë Samila Bhulit. Prindërit e saj ende vajtojnë vdekjen e të bijës së tyre më të madhe. Ajo ka vdekur para dy vjetësh. Nëna e saj në njërën dorë mban të bijën e vogël, ndërkaq në dorën tjetër mban fotografinë e të bijës së ndjerë.
Vajza kishte vendosur të shkonte të nesërmen në kasolle. “Unë shkova ta shikoja ditën tjetër, ajo ishte shtrirë në stomak dhe duket se kishte fytyrën përtokë. Nuk po nxirrte asnjë zë. Mendova se ishte në gjumë të thellë”, thekson ajo. Vajza nuk po lëvizte. “E ktheva dhe pashë se nxirrte shkumë për goje. Unë humba vetëdijen”.
Askush nuk e di se çfarë ka ndodhur atë natë. Kurrë nuk është kryer ndonjë autopsi. Prindërit e saj mendojnë se e bija ishte asfiksuar. Ishte i ftohtë i madh dhe vajza nuk kishte lënë asnjë vrimë nga frika se do të mërdhinte.
Rrënojat e tmerrit
Babai Bhul betohet se kurrë më nuk do të lejojë që të bijat e tjera të shkojnë në kasolle gjatë ciklit menstrual. Rasti i Samila Bhulit nuk është vetëm përjashtim fatkeq. Gazetat lokale vazhdimisht raportojnë për incidentet e lidhura me “chhaupadit”.
Ka shumë raste kur ato helmohen prej gjarpërinjve dhe kthehen vetëm si kufoma në shtëpi. Ka pasur raste kur është raportuar për përdhunime seksuale. Qeveria ka bërë pak për të ndaluar këtë praktikë në zonat e thella.
Megjithëse ka disa vjet që disa fshatra janë shpallur “të lira prej praktikës së ‘chhaupadit’”, të dhënat tregojnë se prej vitit 2006 kur u mor vendimi nuk është se ka ndryshuar shumë gjendja në terren. Vetëm kur nuk do të ketë më kasolle të ndërtuara poshtë e prapa shtëpive, atëherë gratë do të shpresojnë se do të qëndrojnë në shtëpi edhe gjatë kohës së menstruacioneve.
Në disa zona janë shkatërruar kasollet, por banorët e zonave raportojnë për raste kur gratë lihen të flenë jashtë në fusha, duke iu ekspozuar rreziqeve të shumta gjatë netëve. Ato tani po ndihen edhe më të pambrojtura se kur lejoheshin në kasolle.
“Ne duhet t’i bindim njerëzit se duhet të ndryshojnë që ata ta marrin vesh se sa e rëndësishme është që të mbrojnë familjet e tyre. Kjo kërkon mund të madh për thyerjen e paragjykimeve”, thekson aktivistja Pema.
Kur flet me gra, e merr vesh se ato nuk janë të informuara për gjendjen shëndetësore të trupit të tyre dhe për rëndësinë e ciklit menstrual. /A.A.