Tiranë/ Sot nis ‘java pa makina’, 3 aktivitete për promovimin e biçikletës
Ka nisur sot “Java e Lëvizshmërisë 2015” në Tiranë. Një iniciativë për sensibilizimin e qytetarëve në përdorimin e biçikletës, si mundësi transporti ekologjike dhe e shëndetshme.
Dita e parë u shoqërua nga tre aktivitete në mbështetje të pedaluesve të përditshëm të qytetit.
“Pedalo për Punë”, 30 vende parkimi pranë Bashkisë Tiranë
Skuadra EcoVolis vendosi 30 vende parkimi pranë Bashkisë Tiranë, që do të shërbejnë për administratën e cila siç tha Kryetari Veliaj do të përdorë biçikletat çdo ditë.
“Një lule dyrrotak për Tiranën” Monumenti i parë natyror i çikistëve në Shqipëri
Aktivistët e EcoVolis pedaluan të shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë drejt simbolit më të ri të kryeqytetit. Një lule dyrrotak për Tiranën, e kanë quajtur siluetën e biçikletës të formuar nga fidanë e mbjellë në lulishten e lumit pranë Hotel Dajtit. Ky kompozim është shenjë falenderimi për të gjithë fanatikët e biçikletës, që pedalojnë prej vitesh duke u dhënë frymëzim dhe motivim të rinjve.
Faleminderit që pedaloni!
Aktivistët e lëvizjes ambjentaliste EcoVolis u kanë dhuruar lule fanatikëve të biçikletës në shenjë falenderimi për kontributin e tyre për një Tiranë me ajër të pastër, më pak të ndotur e më të gjelbër.
/l.k./