Çfarë po ndodh tek Parku i Liqenit?
Rrethimi i një zone tek Parku i Liqenit Artificial, ka hapur debat në mediat sociale. Sipas tabelës së vendosur pranë këtij rrethimi, thuhet se bëhet fjalë për një kënd lojërash për fëmijë. Projekti do të menaxhohet nga bashkia e Tiranës.

Foto: APPA, Facebook
Ky projekt pilot (siç quhet nga ana e bashkisë) ka ngjallur debat sepse sipas nenit 29 të ligjit për Trashëgiminë, në zonat e klasifikuara si zona muze, nuk lejohen ndërtimet e reja me përjashtim të rrjetit inxhinierik nëntokësor dhe restaurimit. Ndërkohë, në këtë rast përveç se po bëhen ndërtime, sipas imazheve të paraqitura, në Parkun e Liqenit do të priten edhe një numër i konsiderueshëm pemësh.
Përveç të tjerash, për të disatën herë qytetarëve iu është shkelur e drejta e informimit dhe vendimarrjes në tjetërsimin e hapësirave publike. Sipas Konventës së Arhus-it, Shqipëria ka detyrim të informojë dhe të konsultohet me qytetarët në vendimet për aktivitete të veçanta.
Në rrjetin social Facebook, reagimet kanë qenë të shumta. Albanian Platform for Policy Advocacy, shkruan se “me një projekt gjoja për të bërë një qendër multifunksionale dëfrimi, bashkia ka rrethuar një sipërfaqe të stërmadhe brenda në Park dhe nga fotot e projektit dallohen edhe disa mure me beton e tulla, si dhe zhdukja e pemëve që janë në mes, pasi aty do të shtrohet struktura që do të shërbejë për “argëtim”.
Gjithashtu qytetarët janë mbledhur për të denoncuar këtë vendim. “Të shkulen rrethimet brenda Parkut të Liqenit” është eventi që pritet të pasohet me protestë qytetare të shtunën në 20 shkurt.
“Në 1001 hapsira të mundëshme jasht parkut ku mund të bëhej ky ndërtim, kryetari i bashkisë vendos pikërisht aty ku është vendi i fundit që duhet vendosur. Ato rrethime duhet të shkulen menjëherë”, shkruhet në njoftimin në Facebook. /m.g





Foto: APPA, Facebook

 
		    				        
 
								     
								     
								        
								       






 Historiaime.al është një zë i pavarur në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ne raportojmë si për shkeljet e të drejtave të njeriut ashtu edhe për histori njerëzore që i promovojnë këto të drejta. Ky projekt synon të ndryshojë qëndrimet jo fort etike karshi të drejtave të njeriut nga ana e medias kombëtare si ajo e shkruar, ashtu edhe ajo vizive dhe media e re online.
Historiaime.al është një zë i pavarur në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Ne raportojmë si për shkeljet e të drejtave të njeriut ashtu edhe për histori njerëzore që i promovojnë këto të drejta. Ky projekt synon të ndryshojë qëndrimet jo fort etike karshi të drejtave të njeriut nga ana e medias kombëtare si ajo e shkruar, ashtu edhe ajo vizive dhe media e re online.