Papunësia arrin 17.7%, më të prekurit, të rinjtë me diplomë
INSTAT ka deklaruar se gjatë tremujorit të katërt të 2015, niveli i papunsisë në Shqipëri arriti në 17.7%. Krahasuar me tremujorin e pararendës, shkalla e papunësisë ka pësuar rritje prej 0,2%.
Shkalla e papunësisë për personat me arsim të mesëm të përgjithshëm është 22,5%. Personat me arsim të lartë kanë një shkallë papunësie prej 20,8%. Për personat me arsim të mesëm profesional dhe ato me arsim deri në 8/9-vjeçar shkalla e papunësisë është 14,6%.
Gjatë tremujorit të katërt 2015, për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç shkalla e papunësisë është 32,2%. Krahasuar në bazë vjetore, shkalla e papunësisë për të rinjtë ka rënë me 1,7 pikë përqindje.
Sipas Anketës së Forcave të Punës realizuar nga INSTAT, gjatë tremujorit të fundit të vitit të shkuar, 38,7% e të punësuarve ishin të angazhuar në sektorin e bujqësisë dhe 23,9% në sektorin e shërbimeve të tregut. Punësimi në sektorin e shërbimeve jo të tregut përbën 17,1% të punësimit total të grupmoshës 15-64 vjeç ndërsa 10.3% e përbëjnë të punësuarit në industrinë përpunuese. /m.g
Burimi: Gazeta Shqip