Nisma “Për Publiken” paraqet 6 kërkesat si kusht për dialog, aktivistë të tjerë vazhdojnë takimin
Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ftoi dje nëpërmjet një e-maili aktivistët e shoqërisë civile në një takim në sallën e Këshillit Bashkiak për të diskutuar mbi projektin e Këndit të Lojërave në Parkun e Liqenit. Një pjesë e aktivistëve të ftuar, të mbledhur nën grupimin “Për Publiken”, e braktisën këtë takim, duke paraqitur kushtet në të cilat ata mund të fillojnë dialogun.
Ata iu drejtuan nënkryetarit të Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku me një letër që u lexua nga një prej aktivisteve. Fillimisht deklarata e tyre vlerëson ftesën e bashkisë për dialog, por dënon sjelljen e policisë gjatë protestave.
Më tej ata paraqitën 6 kërkesat e tyre:
1. Hapi i parë që duhet të ndërmarrë Bashkia, është ndalimi i punimeve dhe nisja e procedurës për këshillimin me publikun.
2. I gjithë proçesi i dëgjesave me publikun, presim që të kryhet në besnikëri të plotë siç e kërkojnë ligjet në fuqi, sepse ne mendojmë se ky proçes nuk ka filluar asnjëherë. (Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë – E Drejta e Informimit , neni 23 dhe 56 i saj. Konventa e Aarhusit, Ligji për infomimin në lidhje me dokumentat zyrtare nr 119, 2014. VKM nr 247, date 30,04,2014, si dhe akte të tjera ligjore dhe nënligjore në lidhje me këtë proces.
3. Përpara se të ulemi në debat, kërkojmë të kemi një dosje të plotë me dokumentacionin për “ Këndin e Lojrave” dhe “Masterplanin për Liqenin”, me dokumenta teknikë, normative, administrative.,që dhe ne të kemi bazën dokumentarë të plotë në kuadër të transparencës, dhe si bazë për të zhvilluar një debat të plotë.
4. Ftesa për debat të jetë publike në media, ku të ftohen të gjithë qytetarët, dhe të përcaktohet një kalendar diskutimesh, që do marrë të gjithë kohën e duhur që kërkojnë procedurat në fuqi.
5. Debati të kryhet për të gjithë “Masterplanin e Liqenit”, jo thjesht për “Këndin e Lojrave”, pasi ne mendojmë se interesi qytetar, shkon shumë më gjerë se sa thjesht “Këndi i Lojrave”.
6. Të na jepet mundësia që debati të zhvillohet në nivel qytetar, por dhe ekspertësh të shoqërisë civile, ku dhe ne të kemi mundësi që të prezantojmë vizionin, dhe propozime të mundshme alternative, të cilat sigurisht që do jenë të diskutueshme.
Nisma “Për Publiken”, ka shpërndarë në “Facebook” deklaratën duke e shoqëruar dhe me video-regjistrimin e takimit.
Video e takimit e publikuar nga nisma “Për Publiken”
Takimi me aktivistë të shoqërisë civile ka vazhduar
Nënkryetari i Bashkisë Arbjan Mazniku, ka vazhduar takimin me përfaqësuesit e tjerë të shoqërisë civile ku këmbënguli që projekti do të përfundojë më 1 qershor dhe dha disa detaje për masterplanin e parkut.
Gjatë një debati me ambjentalistin Lavdosh Feruni i cili kritikoi parkun duke thënë se nuk ruan konceptin e pyllit, Mazniku u përgjigj duke thënë se hapësira e gjelbër do të dyfishohet.
/l.k./