Universiteti i Tiranës hedh poshtë udhëzimin e MAS për regjistrimet në programet Master
Universiteti i Tiranës ka rrëzuar udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve në lidhje me procedurat e regjistrimit dhe fillimin e vitit akademik për programet Master.
Jo më larg se dje, MAS publikoi në faqen zyrtare një udhëzim sipas të cilit studentët kishin mundësi të regjistroheshin në një program Master në universitetet publike në datat 07 – 12 tetor dhe në universitetet jo publike 11 – 17 tetor.
Jo vetëm që koha e lënë në dispozicion për universitetet publike dhe ato private nuk është e njetjë, por edhe nuk është marrë parasysh koha që duan procedurat e aplikimit për tu plotësuar.
Brenda 4 ditëve, studentët duhej të siguronin një listë notash të noterizuar, vërtetim për mbrojtjen e diplomës, noterizim të dokumenteve të kërkuara, shoqëruar me dokumentat identifikues duke bërë kështu një radhë të madhe në bankat ku duhen paguar tarifat.
Ky udhëzim, i cili u fshi nga faqja zyrtare e MAS, është hedhur poshtë nga Universiteti i Tiranës dhe fakultetet e tij. Sipas vendimit të senatit të UT afati i regjistrimit për programet master do të vazhdojë deri në datë 20 tetor 2016.
Po ashtu është vendosur që dita e parë e vitit akademik në Universitetin e Tiranës për studentët e masterit të jetë 24 tetor dhe jo 20 tetor siç parashikohej në udhëzimin e MAS.
/m.g/