Publikohet plagjatura e rradhës, pas Kryemadhit akuzohet dhe Ditjona Kule

Vijon skandali i plagjaturave. Pas publikimit të rastit të doktoraturës së ish-ministres së Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim Monika Kryemadhi, të dyja punë doktorale të udhëhequra nga Dhori Kule, skandali i rradhës përfshin një profesoreshë të Universitetit të Tiranë.
Taulant Muka ka publikuar ditën e sotme doktoraturën e Profesoreshës Ditjona Kule, vajza e Dhori Kules, e cila jo vetëm ka konflikt të pastër interesi në rastin e punësimit të saj në Universitetin e Tiranës, por mesa duket ka dhe punën doktorale me probleme.
“Sharlatanet dekan/rektor, nga padija dhe babëzia, shkatërrojnë të ardhmen e te gjithëve, edhe të fëmijeve të tyre! Ata nuk e njohin meritokracinë dhe vlerën akademike!
Vladimir Kola zbulon nëpërmjet internetit, plagjiaturën e Tezës së Doktoraturës së zonjës Ditjona Kule me titull “Ndikimi i Arsimit të Lartë në Rritjen Ekonomike: Rasti i Shqipërisë”, me udhëheqës shkencor prof. dr. Sulo Hadëri, e mbrojtur ne vitin 2015, pranë Fakultetit të Ekonomisë, Universiteti i Tiranës.” – shkruan Muka në statusin e tij në Facebook.
Një ditë më parë Taulant Muka, një nga zërat më aktivë në mbështetje të studentëve, deklaroi se do të denoncojë rastet e plagjaturës së zbuluara deri më tani dhe në polici, pasi sipas Kodit Penal, plagjatura dënohet deri në dy vite burg.
Rastet e zbuluara të plagjaturës përfshinë figura të politikës si ish-zëvëndës ministri i Arsimit Ervin Demo, deputetja e PS Blerina Gjylameti, ish-ministrja e mbrojtjes Mimi Kodheli, kryetarja e LSI Monika Kryemadhi dhe pedagoge Ditjona Kule./l.j