Të rinjtë mbjellin pemë për kujtimin e viktimave të burgut famëkeq të Spaçit

Aktivistë të rinj ambjentalistë të Ecovolis, në aksionin e tyre të rradhës për mbrojtjen e mjedisit dhe shtimin e hapësirave të gjelbërta në vend, zgjodhën këtë herë mbjelljen e pemëve në përkujtim të viktimave të regjimit komunist. Në territorin e burgut famëkeq të Spaçit, ato vendosën të mbjellin 504 pisha, për nder të 504 të burgosurve, të cilët vdiqën në kushte çnjerëzore në Spaç.
“504 pisha për 504 njerëz të cilëve diktatura iu burgosi trupin por jo shpirtin. Nëse ende nuk ke qenë në Spaç, ka ardhur dita që ta vizitosh. Të hysh brenda qelive të vogla e të ftohta të cilat për ironi të ofrojnë një nga peisazhet më të bukura që mund të shohë syri. Të ndiesh dhimbjen dhe forcën e atyre që lanë jetën aty apo atyre që ia dolën. Në Spaç kupton se sa shumë vlen liria dhe sa shumë ja vlen të luftosh për të. E kur të vish, bëj si ne, merr një pishë me vete apo dy, apo dhjetë . Spaci ka nevojë sot për gjelbërim, për jetë.” – shkruhet në postimin e Ecovolis në rrjetin social Facebook.
Burgu i Spaçit ishte një burg politik i sigurisë së lartë, aktiv gjatë diktaturës komuniste në Shqipëri. Burgu gjendet në fshatin Spaç dhe në vitin 1973, pati një rebelim të të burgosurve, të cilët arritën të ngrinin një flamur jo-komunist për disa ditë duke sfiduar autoritetet. Një rebelim i ngjashëm u krye edhe në Burgun e Qafë Barit në vitin 1984 ku shpërthyen të njëjtat revolta e u ngritën kërkesa e dëshira për liri, që u shtypën njëlloj me dhunë e gjak. / k.j