Kalendar për javën e gruas në Tiranë

Në kuadër të 8-Marsit, ditës ndërkombëtare të grave, në qendrën sociale “Logu i Shkëndijës” është shpallur “Java e Gruas”, nga e hëna e 4 marsit deri në protestën e së premtes.
Paraditeve, aktivistë dhe mbështëtës të Organizatës Politike janë angazhuar në aksione solidarizuese me gratë që punojnë në fasoneri. Duke marrë për bazë nevojën e familjeve mesatare për të qenë të punësuar në një vend ku papunësia shënon nivele alarmante, biznesi fason në Shqipëri është një ndër industritë që shfrytëzon në masë fuqinë punëtore të grave.
Në kushte mjerane pune, me paga të pamjaftueshme, me të drejta të nëpërkëmbura dhe të keqtrajtuara nga punëdhënësi, kështu mund të profilizohen sot gratë e kërrusura në makinën qepëse apo fabrikat e këpucëve.
Shkaku i gjendjes së rënduar ekonomike dhe pamundësia për të bërë një jetë dinjitoze, ndikojnë në jetesën e vështirë duke u kthyer në burim problemesh të tjera që manifestohen deri në dhunë në familje. Kamza, Kombinati dhe lagjja e 5-Majit në Tiranë, të cilat janë disa zonat ku janë të përqendruara më së shumti fasoneritë, ku është shkuar për të folur me gratë në lidhje me kushtet e punës dhe mundësitë e organizimit.
Kështu janë mbyllur paraditet e aktivizmit, për t’i lënë vendin pasditeve me evente dhe ligjërime rreth çështjes dhe përspektivës së gruas.
Të hënën pasdite u shfaq filmi Italian “7 minuti”, i cili vë në fokus organizimin punëtor të grave që punojnë në një fabrikë tekstile. Filmi në fakt tregon për ngjarjet e vërteta të ndodhura në Isanzho të Francës në vitin 2012, ku gratë u organizuan kundrejt padrejtësive dhe shkurtimeve të padrejta të vendeve të punës dhe të drejtave në punë. Pas tij, të pranishmit diskutuan mbi filmin dhe vështirësitë e organizimit punëtor në Shqipëri sot.
Ditën e martë, u zhvillua një ekspozitë me piktura të punuara nga studentja e fakultetit të Shkencave sociale, Iris Gjeçi. Në to qendërzoheshin gratë dhe vajzat si dhe problematizoheshin stereotipizimet kundrejt tyre. Ndërkohë , diskutohej në grupe të vogla në lidhje me talentin e Irisit, e cila nëpërmjet lojës së imazheve arriti të përcjellë pastër disa aspekte të mprehta të pozitës së grave duke adresuar dhe ngacmimet seksuale.
Sakaq, pasditja e të mërkurës mblodhi në Log dhjetra aktivistë të angazhuar me çështjet gjinore dhe jo vetëm, të cilët morën pjesë në ligjërimin e tre vajzave –Margos nga Polonia, Sindit nga Gjermania dhe Lolës nga Franca – të cilat prezantuan ecurinë e fushatës #metoo në vendet e tyre të origjinës, duke nënvizuar ndërgjgjësimin e opinininit publik dhe vëmendjen institucionale në lidhje me dhunën ndaj grave, përdhunimet e ngacmimet seksuale. Biseda më pas u kanalizua duke diskutuar mbi mjedisin dhe sfidat e çështjeve gjinore në Shqipëri.
Për t’i paraprirë protestës së të premtes, e enjtja vijoi me muzikë nën tingujt e kitarës së Klisman Kadiut dhe zërit të Stela Shirokës, të dy përkatësisht ish student dhe studente në Fakultetin e Shkencave Sociale u solidarizuan kësisoj me aktivitetet në kuadër të ditës ndërkombëtare të gruas.
Ndërkohë, nën tingujt e muzikës, aktivistët/et punonin pankarta për protestën e së nesërmes.
Në pritje të protestës për të ngritur problematikat mbi çështjen e gruas në Shqipëri dhe heshtjen institucionale, në rrjetet sociale eventi duket se ka marrë shikueshmëri dhe nisma është përhapur edhe në qytete të tjera./ L.K