Bashkimi Europian është i gatshëm të rrisë bashkëpunimin me palët e tjera të Marrëveshjes së Parisit për Klimën, bazat e të cilës janë solide pavarësisht largimit të njoftuar të amerikanëve, deklaroi sot komisioneri europian për Klimën, Miguel Arias Canete.
“Marrëveshja e Parisit për Klimën ka baza solide dhe është aty për të zgjatur. BE, me partnerët tanë, është e gatshme të riforcojë bashkëpunimin me të gjitha palët për ta vënë në zbatim”, theksoi Canete në Twitter pas zyrtarizimit nga SHBA-ja për tërheqjen e saj.
Mina Andreeva, zëdhënëse e Komisionit Europian deklaroi se Bashkimi Europian shpreh keqardhje për vendimin amerikan duke kujtuar se BE dhe SHBA-ja kishin punuar së bashku për krijimin e marrëveshjes në vitin 2015.
Miguel Arias Canete theksoi përveç të tjerave se BE do të vazhdojë të punojë me palët pjesëmarrëse dhe entitetet në SHBA që të mbeten të angazhuara në një veprim ambicioz në mbështetje të klimës, veçanërisht qytetet amerikane që dëshirojnë të mbeten të angazhuara në luftën kundër ngrohjes klimatike. / ATSH