Në ambjentet e Muzeut Historik Kombëtar është çelur ditën e sotme ekspozita me fotografitë pjesëmarrëse në konkursin botëror të fotografisë së shtypit, i njohur ndërkombëtarisht dhe si World Press Photo.
Nga kriza e migrantëve në Shtetet e Bashkuara, te shpërthimi i vullkanit në Guatemala dhe zhdukja e vrasja e gazetarit Jamal Khashoggi, viti 2019 ishte i mbushur me plotë ngjarje që u pasqyruan botërisht më së miri përmes fotografisë gazetareske dhe foto reportazheve.
Foto e njohur tashmë e një vajze të vogël nga Hondurasi, e cila qan në këmbët e policëve kufitarë në kufirin mes SHBA dhe Meksikës, ishte fituesja e çmimit të vitit të shkuar. Kjo fotografi, me disa dhjetëra të tjera janë ekspozuar në Muzeun Historik, falë mbështetjes së Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulta në Tiranë.
Çmimi i vitit 2019, shënoi edicionin e 62-të të ceremonisë prestigjoze. Fituesit e vitit 2019 u zgjodhën midis 78.801 fotografive të dërguara për konkurim, nga një juri profesioniste.
Konkursi përfshiu 4738 fotografë nga 129 vende të ndryshme të botës.
Ekspozita do vijojë e hapur deri më 26 Shkurt. Për më shumë, vizitoni eventin në linkun e mëposhtëm.
World Press Photo Exhibition 2019