Joe Biden mbetet shpresues për garën presidenciale, pasi fitoi ndjeshëm në garën brenda Partisë Demokratike të Karolinës së Jugut, duke i dhënë një shtysë kandidaturës së tij dhe fushatës jo shumë të suksesshme të garave të mëparshme.
Ish zëvëndës Presidenti, fitoi afërsisht 48% të votave, duke e përmirësuar renditjen e tij e duke e afruar me pretendentin kryesor aktual, Bernie Sanders.
Fitorja e Biden erdhi në një moment të rëndësishëm të fushatës për nominimin e kandidatit zyrtar brenda demokratëve, pas disa humbjeve ndaj Sanders dhe kandidatëve të tjerë këtë muaj në Ajoua, Nju Hempshajër dhe Nevada.
Ditën e sotme, dy prej kandidatëve, Pete Buttigieg dhe sipërmarrësi Tom Steyer u tërhoqën nga gara zyrtarisht, duke i uruar suksese kolegëve të tyre të mbetur në garë, ndërsa Bernie Sanders, nga ana tjetër, i cili u rendit me diferencë të madhe në vendin e dytë me afro 20% të votave, përgëzoi Biden për fitoren e tij.
Ai deklaroi pas publikimit të rezultatit se nuk kishte asgjë që mbështetësit e tij të shqetësoheshin.
Biden në shtetin e Karolinës së Jugut, fitoi bindshëm në komunitetet me ngjyrë e kryesisht ato afro-amerikane, një veprim ky që ka ndikuar ndjeshëm në rezultatet finale të garës për president gjatë zgjedhjeve të fundit. Ai mori rreth 60% të votave të afro-amerikanëve, krahasuar me 15%, të tyre që votuan për Bernie Sanders.
Pavarësisht fitores, sërish Biden nuk është në një pozicion shumë të favorshëm, në pritje të votimeve në 11 shtete gjatë ditës së nesërme, në atë që quhet si “super e marta“.
Rreth 7 pretendentë kryesorë garojnë në “super të martën”, rezultatet e së cilës do të mund të ofrojnë një pamje më të qartë të kandidatit të mundshëm të demokratëve, që do të përballet me presidentin aktual Trump në zgjedhjet e nëntorit të ardhshëm.