Situata e koronavirusit në vendin tonë, sa vjen e përkeqësohet.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, në Shqipëri janë shënuar gjithsej deri më sot 89 raste me koronavirusin e ri, COVID-19, 5 prej të cilëve kanë ndërruar jetë dhe 3 janë shëruar.
Vetëm në 24 orët e fundit në Shqipëri kanë hubur jetën 3 persona.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar zyratisht se mbrëmjen e së dielës ka humbur jetën një 71-vjeҫar me origjinë nga Kuçova, i trajtuar më herët në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, prej 7 ditësh ishte shtruar në spitalin Infektiv dhe gjatë mbrëmjes pati një komplikacion të menjëhershëm kardiak arterial. Ai vuante nga kanceri në mushkëri.
Gjithashtu mëngjesin e së hënës kanë ndërruar jetë dy persona, përkatësisht; Një 43-vjeçar i shtruar në spitalin Infektiv, i konfirmuar me COVID-19, i cili ndodhej në terapi intensive.
Pas rëndimit të gjendjen gjatë mbrëmjes, 43-vjeçari nga Kavaja është vendosur në frymëmarrje të drejtuar (respirator) për disa orë, por pavarësisht përpjekjes së mjekëve, nuk ka mundur të mbijetojë.
43-vjeçari nga Kavaja, përpos obezitetit nuk kishte sëmundje bashkëshoqëruese.
Viktima e pestë është një pacient 61-vjeçar i shtruar në spitalin Infektiv, i konfirmuar me COVID-19, i cili ndodhej në terapi intensive.
61-vjeçari nga Tirana është vendosur në frymëmarrje të drejtuar (respirator) për disa orë, por pavarësisht përpjekjes së mjekëve, nuk ka mundur të mbijetojë.
61-vjeçari kishte sëmundje bashkëshoqëruese. (Update: Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Spitalit Infektiv personi i 5-të është ende gjallë, pasi ai kishte pësuar vdekje klinike, por mjekët e kanë rikthyer në jetë)
Nga ana tjetër në të gjithë botën janë infektuar deri më sot sipas të dhënave të fundit 341,560 persona, nga këto 14,748 kanë humbur jetën dhe 99,040 persona janë shëruar, dhe 227,772 raste janë aktive.
Italia është vendi më i goditur në botë me 5,476 raste vdekjeje, e ndjekur nga Kina me 3,270 vdekje./ HistoriaIme