13 organizata dënojnë gjuhën e Ramës ndaj komunitetit Rom: Kërko falje
13 organizata të shoqërisë civile dhe të Drejtave të Njeriut, kanë dënuar gjuhën e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, ndaj komunitetit Rom.
Me datën 14 prill kryeministri Rama në një postim në tëitter u shpreh: ‘’E turpshme nxitja e komunitetit rom për të inskenuar shfaqje të rrezikshme për jetën nga ish-deputetë të caktuar, që paturpësisht gënjejnë publikun, duke pērdorur romët si mish për top për të thënë se ja kështu u shpërndakan ndihmat në Fier e gjetkë #Çnjerëzore’’.
Organizatat kërkojnë nga Rama, të kërkojë falje publike dhe të rishikojë politikat qe prekin ketë komunitet dhe qytetarë të tjerë në kushte të ngjashme.

Deklarata e plotë:
Denoncojmë gjuhën diskriminuese të Kryeministrit Rama ndaj Romëve, e ftojmë të kërkojë falje publike dhe të rishikojë politikat qe prekin ketë komunitet dhe qytetarë të tjerë në kushte të ngjashme
Me datë 14 prill, në rrjetet sociale u publikuan video të komuniteti Rom dhe Egjiptian në Fier të mbledhur së bashku, për tu ankuar për mungesën e ndihmave nga Bashkia dhe për shpërndarjen e padrejtë të tyre. Këto video u shpërndanë në rrjetin social facebook edhe nga përfaqësues të partive politike duke nxitur reagimin e paprecedentë të kryeministrit në Tëitter: ‘’E turpshme nxitja e komunitetit rom për të inskenuar shfaqje të rrezikshme për jetën nga ish-deputetë të caktuar, që paturpësisht gënjejnë publikun, duke pērdorur romët si mish për top për të thënë se ja kështu u shpërndakan ndihmat në Fier e gjetkë #Çnjerëzore’’. Romët u etiketuan si të përdorur si mish për top për inskenime, ndërkohë që ata ishin mbledhur për të shprehur nevojën e tyre.
Së pari, në këtë deklaratë Kryeministri bie në kundërshtim me vetë politikat e qeverisë shqiptare, e cila ka një Plan Kombëtar Veprimi për Integrimin e Romëve dhe Egjiptianëve 2016-2020. Nëpërmjet këtij plani, duke pranuar vulnerabilitetin dhe nevojën për të adresuar diskriminimin e këtyre minoriteteve, qeveria është angazhuar për të përmirësuar situatën e tyre. Nga ana tjetër, një pjesë e mirë e Romëve dhe Egjiptianëve që punojnë në sektorin informal të ekonomisë, u përjashtuan më herët nga qeveria duke u lënë jashtë listës së subjekteve përfituese të pagës së luftës gjatë periudhës së pandemisë, pavarësisht rekomandimit të Komisionerit Për Mbrojtjen nga Diskriminimi të datës 31 mars. Me datë 14 prill Bashkia Tiranë dhe IKMT në zonën e Selitës filluan prishjen e tregut informal të rrobave të përdorura, aktivitetin kryesor që sjell të ardhura për familjet e komunitetit Rom dhe Egjiptian në atë zone. Në të njëjtën ditë, Romët etiketohen nga vetë kryeministri si të përdorur për inskenime politike, ndërkohë që kërkojnë ndihmë.
Së dyti, gjuha e përdorur nga kryeministri, në faqen e tij është e papranueshme. Shprehja ‘’mish për top’’ në gjuhën shqipe është përulëse dhe me kuptim derogativ. Ajo përforcon stereotipet diskriminuese ndaj Romëve si njerëz që mund të përdoren lehtësisht nga të tjerët. Komisioneri Për Mbrojtjen nga Diskriminimi ka konstatuar diskriminim edhe në raste të tjera të ngjashme ku Romët dhe Egjiptianët janë etiketuar si ‘’lehtësisht të përdorshëm’’. Duhet theksuar që faqja e Kryeministrit të Shqipërisë ndiqet nga mijëra qytetarë dhe shumë media raportuan mbi ngjarjen duke zgjedhur të kishin në titull pikërisht shprehjen denigruese ‘’mish për top’’, është përforcuar kështu impaktin e diskriminimit në opinionin publik.
Së fundmi, Kryeministri ka nënvlerësuar publikisht aftësinë e Romëve për tu vetë-organizuar e për të kërkuar te drejtat e tyre, të cilën ata e kanë bërë më së miri prej vitesh. Kryeministri nuk duhet ta minojë dhe delegjitimojë organizimin e komuniteteve të marxhinalizuara me konceptin e ‘’nxitjeve dhe inskenimeve politike’’, por tu përgjigjet nevojave të tyre.
I bëjmë thirrje Kryeministrit të Shqipërisë, të ndalojë përdorimin e gjuhës denigruese dhe diskriminuese ndaj Romëve dhe të kërkojë falje publike.
I bëjmë gjithashtu thirrje qeverisë shqiptare të pranojë dhe tu përgjigjet nevojave të komuniteteve të marxhinalizuara pasi për ta pandemia është një krizë mbi krizat.
Organizatat nëshkruese:
- Qendra Treja
- Qendra Për Aksion Komunitar
- Lëvizja Rinore Egjiptiane dhe Rome
- Civil Rights Defenders
- Citizens Channel
- Shërbimi Ligjor Falas Tiranë (TLAS)
- Këshilli Shqiptar i Medias
- Pro LGBT
- Qendra Europiane
- Qendra ALTRI
- Aleanca LGBT
- Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri (AWEN)
- Qendra Për Nisma Ligjore Qytetare (QNL)/ Historiaime