Një ditë më parë, studentë të Lëvizjes Për Universitetin dorëzuan në Ministrinë e Arsimit një peticion me më shumë se 7510 firma të studentëve të Universiteteve Publike, ku kërkohet anulimi i tarifave të viti akademik 2019-2020.
Por, pas dorëzimit të peticionit policia e Tiranës në një njoftim për media, ka bërë të ditur se janë proceduar penalisht 4 persona të evidentuar nga ta si organizatorë, dhe 7 të tjerë nga protesta e punëtorëve të shërbimit urban në Tiranë të cilët gjithashtu protestuan në të njëjtin orar tek Ministria e Infrastrukturës.
Ky procedim vjen disa ditë pasi Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka paralajmëruar se nuk do të lejohet asnjë tubim publik, politik apo qytetar, për shkak të shifrave gjithnjë e në rritje të të infektuarve me koronavirus.
“Policia e Tiranës shpërndau dy tubime të paligjshme të zhvilluara njëkohësisht para Ministrisë së Infrastrukturës dhe asaj të Arsimit, si dhe procedoi 11 persona të identifikuar si organizatorë, për “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”.
Grupi i parë i protestuesve që ishte mbledhur para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, përbëhej nga disa punonjës të Shoqatës së Transportit Publik, të cilët kanë kërkuar që të lejohet lëvizja e mjeteve të transportit publik. Ndërsa një grup studentësh protestuan para Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, duke kërkuar uljen e tarifave të studimit.
Gjatë zhvillimit të tubimeve, në të dy rastet, Policia para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimet, ka bërë thirrje me megafon që protestuesit të shpërndahen, të mbajnë distancë sociale nga punonjësit e Policisë dhe nga njëri-tjetri, duke i paralajmëruar se në rast mosbindje, do të ndërhyjë në bazë të ligjit.
Më pas, Policia shpërndau protestuesit, duke bërë disa shoqërime dhe ka filluar procedimin penal për 7 persona si organizatorë të tubimit tek Ministria e Infrastrukturës dhe për 4 të tjerë si organizatorë të tubimit te Ministria e Arsimit, pasi kanë organizuar dhe protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e institucioneve, aq me tepër në situatë të jashtëzakonshme në kohë pandemie, ku ndalohen me ligj grumbullimet apo tubimet.
Materialet për këto ngjarje do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor, në ngarkim të 11 personave të identifikuar si organizatorë, për veprën penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”.”-thotë në njoftimin për media policia e shtetit.
Por në lidhje me procedimet ka reaguar edhe Lëvizja Për Universitetin.
Duke thënë se jeta e një brezi nuk mund të shtypet as me dhunë dhe as me frikë, as me xhandarë e as me mashtrime, LPU publikon edhe dy foto, në të parën duken sttudentët që dorëzuan peticionin që mbajnë distancim social, dhe janë të pajisur me maska e doreza sipas rekomandimeve të ekspertëve dhe ISHP, ndërsa në tët dytën efektivët e forcave Shqiponja që gjenden në gatishmëri pas Ministrisë së Arsimit, pa masaka pa doreza e maska.
“Përmes një deklarate të turpshme për shtyp, Policia e Tiranës lajmëroi procedimin penal për katër studentë dhe aktivistë të Lëvizjes Për Universitetin, të cilët dorëzuan peticionin me 8 mijë nënshkrime për anulimin e tarifave shkollore. Me një patetizëm të pafalshëm për nënpunësit publikë, dorëzimi i peticionit në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë qenka zmadhuar në miting, ndërsa largimi i paqtë i aktivistëve në shpërndarje mitingu.
Arsyeja e vërtetë e këtyre procedimeve nuk është as pandemia dhe as mosbindja, ngaqë ata që i shkelën me të dyja këmbët rregullat e higjienës ishin vetë policët, por frika nga kriza ekonomike në mesin e të rinjve dhe revoltat e pashmangshme të së ardhmes. Kriminalizimi i protestës perveçse nuk do të na ndalojë, na bën më të guximshëm dhe vullnetplotë.
Jeta e një brezi nuk mund të shtypet as me dhunë dhe as me frikë, as me xhandarë e as me mashtrime.”-shkruan LPU./ HistoriaIME