“Nata e Diktaturës” është një event i cili organizohet në Holandë prej 10 vitesh tashmë. Gjatë kësaj nate, pjesëmarrësit bëhen pjesë e diskutimeve mbi demokracinë, lirinë, shtypjen dhe diktaturat. Prej 10 vitesh tashmë, është kthyer në një event reflektimi të gjerë mbi atë çfarë kemi dhe atë çfarë duhet të mbrojmë.
Tema e këtij viti është: “Sa rezistente ndaj COVID-19 është demokracia jonë?“.
Për shkak të masave parandaluese të pandemisë, organizata holandeze ProDemos në bashkëpunim me Beeld en Geluid të Hagës, organizuan eventin online, i cili u mbështet dhe nga Komiteti Holandez i Helsinkit dhe Drejtësi dhe Paqe Holandë.
Sidita Zaja, drejtoreshë ekzekutive e organizatës Pro-Lgbt, mori pjesë në një prej paneleve të diskutimit, me temë Ndikimi i pandemisë së Covid-19 në komunitetin LGBTI+.
E pyetur mbi përgjigjen e autoriteteve ndaj pandemisë në momentet e para të saj dhe ndikimit të masava parandaluese në mirëqenien e komuniteti LGBTI+, ajo cilësoi se ndër të tjera, komuniteti LGBTI+ u prek nga problemet ekonomike, psikologjike dhe ato shëndetësore. Ato si dhe grupet e tjera të margjinalizuar, ishin edhe më të prekur nga masat anti-Covid, për shkak të realitetit të vështirë me të cilin përballen përditë.
Shumë e rëndësishme është që ndajmë përvojat tona si aktivistë për të sjellë vëmendjen rreth këtyre temave.
Në lidhje me përgjigjen e aktivistëve dhe organizatave ndaj pandemisë, Sidita solli në vëmendje përpjekjet e Aleanca LGBT dhe STreha për të ndihmuar komunitetin LGBTI+ me pako ushqimore, strehim dhe asistencë psikologjike e ligjore online.
“Në fillim të pandemisë, Aleanca LGBT ka realizuar një pyetësor për komunitetin, ku nga 230 të anketuar, 50% e tyre deklaruan se humbën punën gjatë pandemisë, duke sjellë më pas një reagim zinxhi që u ndoq me humbjen e banesave, kthimin te familjet jo-pranuse ose kërkimin e strehimit tek OJQ-të.”.
Shumë individë të komunitetit, ishin të detyruar të ktheheshin në shtëpitë e familjeve të tyre, në një mjedis homofobik, që solli dhe rritjen e rasteve të dhunës.
Në panelin e diskutimit, ku merrte pjesë dhe Vincent Obwanda, aktivist LGBTI nga Kenia, u diskutuan problematikat në të dy vendet dhe u ndanë dhe shembujt e mirë të punës së aktivistëve, që në të ardhmen mund të përdoren për adresimin më të mirë të problematikave LGBTI+ në momente të vështira si këto.
Sidita nuk la pa përmendur dhe Paradën Online të Tiranës (Tirana #PrideON), e cila edhe pse në kushte të mbylljes së vendit, arriti të bëj bashkë sërish edhe këtë vit individë LGBTI+, aktivistë, artistë dhe përkrahës të kauzës. Parada u cilësua si një prej shembujve të mirë të aktivizmit LGBTI+ në Evropë.
Përsa i përket qasjes së qeverive të vendeve tona ndaj të drejtave të njeriut në këto kohë të pandemisë, ajo deklaroi se: “..përgjigja e qeverisë është në të vërtetë diçka që mund të ndihmojë komunitetet në nevojë në përgjithësi. Sidoqoftë, qeveria në vendet përkatëse duhet të mbështesin drejtpërdrejtë komunitetet e margjinalizuar bazuar në problematikat që secili prej tyre ka.”
“Ngjarje si kjo, rritën bashkëpunimin midis OJQ-ve, autoriteteve lokale dhe nisën një diskurs të ri rajonal, por njerëzit duhet të kuptojnë nevojën e mbështetjes që disa komunitete kanë, problematikat e tyre dhe se t’i ndihmojnë këto komunitete në tejkalimin e problematikave të tyre.”
Në mbyllje të bisedës, Sidita deklaroi se: “Rekomandimi im është që të gjithë mbrojtësit e të drejtave të njeriut duhet të ndihmojnë dhe mbështesin njëri-tjetrin, dhe kur kjo mbështetje nuk vjen nga qeveria. Përsa i përket autoriteteve, ato duhet të kuptojnë se problematikat specifike të këtyre komuniteteve të margjinalizuar nuk mund të adresohen vetëm nga organizatat.”
Kombinimi i të gjithë aktorëve dhe dëshira për të ndihmuar do të fuqizojë komunitetet tona, pasi pandemia nuk duket se do të mbarojë së shpejti.
“Mbështesni aktivistët dhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut.
Të gjithë duhet të përfshihen!”