Dhjetë vite më parë u krijua institucioni dhe ligji për mbrojtjen nga diskriminimi me synim barazinë para ligjit, shanse të barabarta për të ushtruar të drejtat e liritë për këdo dhe mbrojtje efektive nga diskriminimi.
Në dhjetë vite funksionim të këtij institucioni problematikat e hasura më shpesh janë pamundësia e aksesit në shërbime për personat me aftësi të kufizuar, largimet nga puna për shkak të bindjes politike dhe problematikat e komunitetit rom dhe egjiptian.
Në një intervistë për Tirananews.al, komisioneri i mbrojtjes ndaj diskriminimit, Robert Gajda flet për problematikat dhe zgjidhjet nga institucioni dhe zbatueshmërinë e vendimeve të tij nga institucionet përgjegjëse.
Gjatë intervistës z. Gajda na tregon se personat me aftësi të kufizuar hasin mjaft probleme duke përmendur dhe një rast konkret, atë të një personi tetraplegjikë i cili e kishte të pamundur të bënte dokumentet biometrike pasi zyra e ALEAT kishte vetëm shkallët dhe as rampa apo ashensor. Por përveç konstatimit, problem më vete është dhe zbatueshmëria e vendimit të komisionerit për mbrojtjen nga diskriminimi. Ky rast konkret nxjerr në pah se kompania ALEAT e cila ka përsipër prodhimin e dokumenteve biometrike nuk ka marrë parasysh këtë kategori njerëzish duke mos ofruar shërbimin siç duhet. Problem tjetër lidhur me këtë kategori e sinjalizuar në këtë institucion është dhe ajo e personave të cilët nuk mund të lëvizin nga shtëpia dhe kompania do të duhej të ofronte shërbimin me pajisjet në shtëpi, që ekzistojnë dhe përdoren si pajisje në vende të tjera. Procesi i pajisjes me dokumente biometrike në këtë rast rezulton përjashtues për personat që nuk kanë mundësi objektive të lëvizin nga shtëpia dhe mosmarrja e kartës ID e privon atë nga përfitimi i shërbimeve të tjera, sidomos atyre shëndetësore.
Ndërkohë Ministria e Brendshme, si përgjegjëse për marrëveshjen e lidhur me ALEAT nuk e ka marrë në konsideratë vendimin, e për rrjedhojë është gjobitur nga institucioni.
INTERVISTA
Z. Gajda prej dy vitesh jeni kryekomisioneri për mbrojtjen ndaj diskriminimit. Në këto dy vite cilat janë problematikat më të shpeshta që keni hasur gjatë punës suaj?
Institucioni është i ngritur prej 10 vitesh, në shkurt të 2020 patëm dhe 10-vjetorin e institucionit të komisionerit ku ndërtuam dhe javën kundër diskriminimit në mënyrë që të jemi sa më sensibilizues dhe ndërgjegjësues, ndërkohë që lidhur me pyetjen tuaj trendi është i konfirmuar relativisht ndër vite i grupeve shoqërore më të diskriminuara në shoqërinë tonë që na rezulton që një pjesë e madhe e ankesave dhe vendimeve lidhen me shkakun “racë” që lidhet kryesisht me komunitetet rome dhe egjiptiane për shërbime të ndryshme që nuk përfitohen, kryesisht në fushën e arsimit, por dhe në shërbime që ofrohen nga pushteti vendor, përshembull uji i pijshëm apo shërbime të tjera që lidhen me shërbimin e energjisë elektrike, strehimin, arsimin parashkollor etj. Janë një sërë shërbimesh që ne konstatojmë që anëtarë të komunitetit rom dhe egjiptianë nuk i marrin siç duhet nga ana e organeve publike.
Ndërkohë që një trend tjetër i konfirmuar ndër vite mbetet dhe aftësia e kufizuar. Na rezulton që personat me aftësi të kufizuar në Shqipëri janë të diskriminuar dhe këta në përfitim shërbimesh, po akoma më tepër. Personat me aftësi të kufizuar kanë dhe një sërë barrierash që lidhen që me lëvizjen fizike të tyre, ku hasim në shumë institucione po dhe në rrugë e të tjera, hasim një mospasje aksesi në lëvizje të lirë po dhe pastaj në arsim apo dhe në përfitim shërbimesh të tjera, duke nisur që tek përfitimi i pagesës për aftësinë e kufizuar, që tek çështja e kujdestarëve për personat me aftësi të kufizuar të cilët akoma nuk i njihen si vite për sigurime shoqërore, për të cilat ka pasur shumë probleme. Duhet të kuptojmë që aftësia e kufizuar është e shumëllojshme, lidhet që me aftësinë e kufizuar fizike, për personat tetraplegjikë dhe paraplegjikë, por ka dhe aftësi të kufizuar ndijorë që lidhet me shqisat, të verbrit, personat që nuk dëgjojnë por ka dhe aftësi të kufizuar pastaj intelektuale apo mendore që lidhet me persona që vuajnë të spektrit autik apo personat me sindromën down e kështu me radhë. Të gjithë këto aftësi të kufizuar kërkojnë përshtatshmëri shërbimesh nga ana e organeve publike por dhe shoqërisë e bizneseve private. Kështu që shikohet dhe na rezulton që personat me aftësi të kufizuar në Shqipëri pësojnë një sërë barrierash të cilat i kanë vështirë ti kapërcejnë dhe që për rrjedhojë rezultojnë të diskriminuar në shoqërinë tonë.
Një trend tjetër i konfirmuar dhe ky ndër vite është dhe heqjet nga puna për shkak të bindjeve politike. Kjo lidhet kryesisht me administratën publike sepse aty le të themi evidentohet më shumë ky lloj fenomeni. Gjëja që na vjen mirë është që deri dje pushimet nga puna për bindjen politike ishin më shumë një perceptim shoqëror ndërkohë që tani kemi një fenomen të institucionalizuar, sepse kemi njerëz që hiqen nga puna, bëjnë ankesë, ankesa trajtohet në mënyrën e saj me të gjithë hetimin administrativ që zyra e komisionerit bën dhe certifikohet që ka heqje nga puna për shkak të bindjeve politike.
Lajm i mirë tjetër pozitiv është që me këto çështje pastaj merren dhe gjykatat në Shqipëri, çka do të thotë se tashmë është bërë dhe materie gjyqësore, pra ka një numër organesh të ndryshme të përfshira për të parë fenomenin dhe për të certifikuar shkeljen e të drejtës dhe pastaj dëmshpërblimet përkatëse që gjeneron.
Ndërkohë që shkaqet të tjera që na rezultojnë dhe këto të shumta në institucionin e komisionerit janë shkaqet që lidhen me gjendjen ekonomike të personave, gjendjen arsimore, shëndetësore të tyre. Kemi raste që lidhen me këto shkaqe diskriminimi, por një fenomen tjetër shqetësues sidomos vitet e fundit ka dalë shumë në pah dhe që është duke u trajtuar nga institucioni jonë por dhe nga organet e tjera është përdorimi i gjuhës së urrejtjes që vjen nga funksionarë të lartë shtetërorë apo politikanë të ndryshëm apo nga opinionistë apo gazetarë të ndryshëm, apo njerëz të famshëm për arsye të ndryshme, por që kanë një impakt publik dhe që kanë një numër të konsiderueshëm ndjekësish. Kryesisht gjuha e urrejtjes është fokusuar në tre grupe vulnerabël në shoqërinë tonë, në komunitetin rom dhe atë egjiptian, në personat me aftësi të kufizuar dhe në komunitetin LGBTI. Shtuar kësaj dhe gjuhës seksiste që lidhet pastaj me shkakun e gjinisë.
Këto janë po themi në kategoritë më të prekura gjatë punës sonë të përditshme. Kjo nuk do të thotë që në kategoritë e tjera nuk ka diskriminim në Shqipëri por mbeten më pak të ekspozuara në institucionin tonë, për rrjedhojë më pak të trajtuara, por ne prekim çështje që lidhen pothuajse me të gjitha shkaqet e diskriminimit, që ligji për mbrojtjen nga diskriminimi parashikon.
Në lidhje me trajtimin e rasteve nga ana e institucionit të komisionerit, institucioni është vendimmarrës, jo rekomandues. Bën dhe rekomandime por në pjesën më të madhe të punës merr vendime të cilat janë të detyrueshme për tu zbatuar. Kryhet një proces hetimor me tre komponent të rëndësishëm. I pari është komponenti shkresor, ku i kërkojmë parashtrime organit kundër të cilit ngrihet pretendimi për diskriminim, por dhe të gjithë dokumentet që disponon ky organ për të certifikuar situatën, mund të bëjmë dhe inspektime në terren kur shikojmë që organi nuk sjell informacionin e plotë apo eviton të sjellë informacionin që është i nevojshëm për shqyrtimin e ankesës, si dhe të bëjmë seanca dëgjimore ku ftohen palë në institucionin e komisionerit dhe ka një ballafaqim mes tyre në funksion të sqarimit të situatës dhe kuptueshmërisë më të mirë të saj. E gjithë kjo procedurë duhet të mbarojë me ligj në tre muaj, por kur vendoset seanca dëgjimore mund të zgjasë deri në 6 muaj. Në fund të hetimit, dilet me një vendim, vendimi mund të jetë diskriminimi ose mosdiskriminimi.
Kur kemi vendime diskriminimi palët mund ta ankimojnë atë në Gjykatën Administrative. Në pjesën më të madhe vendimet e komisionerit ankimohen në gjykatë. Ndërkohë që nëse subjekti nuk e ankimon vendimin e komisionerit, po njëkohësisht nuk e zbaton atë brenda një afati të caktuar që zakonisht është 30 ditë, atëherë komisioneri mund të aplikojë dhe sanksionin e gjobës. Gjoba pastaj varion nga 100 mijë lekë të vjetra deri në 6 milionë lekë të vjetër dhe janë të ndryshme në propocionalitet me subjektin që ka kryer shkeljen.
Ka pasur raste vendosje gjobash?
Po ka pasur gjerësisht, të ndryshme. Problemi është që në momentin që komisioneri vends gjobën, le të themi që për institucionin e komisionerit situata mbaron sepse nuk ka më instrumente të bëjë ndonjë gjë. Nuk mund të japë dot dëmshpërblime, sepse dëmshpërblime kërkohen në gjykatë por le të themi raporton gjithmonë për vendimet e pazbatuara, rekomandimet e pazbatuara nga organet publike. Kryesisht raporton në Kuvendin e Shqipërisë ku paraqet një raport vjetor, por Kuvendi ka ngritur dhe një mekanizëm monitorimi në lidhje me të gjitha vendimet e organeve të pavarura, pra të gjitha ato vendimet që organet në mbrojtje të të drejtave të njerit kanë dhënë dhe nuk janë zbatuar nga pushteti qendror është Kuvendi pastaj që në një farë mënyre përforcon thirrjen për zbatim të këtyre vendimeve dhe kërkon llogari dhe ministrave apo Këshillit të Ministrave pse nuk janë zbatuar rekomandimet. Është një mekanizëm i mirë, ka dy vjet që ka nisur, ka një implementim të mirë, një mekanizëm që ne synojmë bashkë me Kuvendin që ta përforcojë dhe ta bëjë në këtë mënyrë pushtetin ekzekutiv më llogaridhënës dhe zbatueshmërinë e rekomandimeve të institucioneve të pavarura.
Ndërkohë që një sfidë mbetet pushteti vendor. Në pushtetin vendor ne kemi një rritje të çështjeve që lidhen me pushtetin vendor. Kjo vjen si pasojë e ndryshimeve ligjore që kanë ndodhur në 2015, ku pushteti vendor ka më shumë kompetenca, ka më shumë shërbime për të ofruar dhe për rrjedhojë një pjesë e këtyre shërbimeve nuk ofrohen sic duhet dhe atëherë qytetarët ankohen tek komisioneri për mbrojtjen e diskriminimit për përfitimin e këtyre shërbimeve, por na mbetet sfidë zbatimi i vendimeve të komisionerit. Kjo pasi nëse për pushtetin qendror është Kuvendi një organ kontrollues dhe monitorues, për pushtetin vendor nuk ka një autoritet që mund ta imponojë një kryetar bashkie, apo një këshill bashkiak që të zbatojë vendimet e komisionerit. Kështu që mbetet sfidë, është me kokë titullari. Ka kryetarë bashkie që janë më bashkëpunues dhe të predispozuar që t’i zbatojnë vendimet e komisionerit, ka kryetar bashkie në pjesën më të madhe që janë më pak bashkëpunues dhe që kanë tendencën, një nga mënyrat për të evituar vendimet e komisionerit është ti çojnë në gjykatë, kjo është ajo që ndiqet.
Jo pa qëllim e nisëm me një përmbledhje të situatë së punës suaj. Si e shihni z. Gajda a ka ndërgjegjësim dhe besueshmëri nga njerëzit në këto dhjetë vite që ka një institucion ku mund të drejtohen dhe mbron të drejtat tona. A janë në rritje kërkesat drejtuar komisionerit?
Vihet re që ka një njohuri dhe ndërgjegjësim më të madh si të shoqërisë në çështje që lidhen me të drejtat e njeriut në tërësi por dhe me diskriminimin në veçanti, por dhe të organeve publike që ne na intereson shumë, ka një ndjeshmëri më të madhe, ka një interesim më të madh të organeve publike për tu zgjidhur situata pa dalë paraprakisht, pa qenë nevoja për të dalë me një vendim. Pra vihet re që ka një ndërgjegjësim po nuk vihet re një aktivizëm me hapa galopant. Ajo që vëmë re ne është që qytetarët kanë dijeni për të drejtat e tyre, por nuk janë shumë të informuar mbi mjetet që kanë në dispozicion për të mbrojtur të drejtat e tyre, siç është dhe rasti i komisionerit për mbrojtjen nga diskriminimi. Në funksion të kësaj patjetër që një pjesë e madhe e punës së komisionerit lidhet me fushata ndërgjegjësuese me bashkëpunim të përditshëm me organizata të shoqërisë civile, po në funksion të kësaj para një viti institucioni i komisionerit ka ngritur dhe tre zyra rajonale në tre qytete të ndryshme në mënyrë që të jetë më afër qytetarëve po dhe në bazë të një analize në bazë të së cilës na rezulton se sidomos nëpër qytete dhe zona rurale organizatat e shoqërisë civile janë më të dobëta dhe më të painformuara mbi mundësitë që kanë për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve. Një synim i joni është që të jemi më shumë në qytete dhe zona rurale dhe që të forcojmë dhe të kemi një bashkëpunim më të ngushtë me organizatat lokale pasi aty ndjejmë që ka një nevojë më të madhe për tu njohur të drejtat, po sidomos për të njohur instrumentet në mbrojtje të të drejtave të njeriut. Në lidhje me situatën në përgjithësi do të thoja që ka një vëmendje të shtuar dhe të organizmave ndërkombëtar dhe të ambasadave të ndryshme që janë të interesuara për çështjen, dhe të organizatave të shoqërisë civile, por ajo që kërkohet është një koordinim më i mirë dhe i projekteve që implementohen dhe i target grupeve apo fokuseve të veçanta të cilat targetohen nëpërmjet donacioneve apo aktiviteteve të ndryshme apo nëpërmjet situatave të ndryshme. Kështu që unë do të thosha që ka një trend pozitiv në dijeninë e gjërave, por ende le të themi nuk jemi në atë kalimin konsistent të dijenisë shoqërore nga një situatë në një situatë tjetër.
Prej 8 muajsh jemi në situatën e pandemisë së koronavirusit. A ka pasur rritje të diskriminimit për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, pasi vendet e punës kanë qenë një sektor i prekur nga kjo pandemi përsa i përket ekonomisë?
Ka disa aspekte që mund të evidentohen. Çështja e punësimit është pak më delikate se diskriminuese, sepse na rezulton që për shkak të situatës së krijuar dhe gjendjes së jashtëzakonshme, pamundësisë së bizneseve na rezulton që ka heqje nga puna, por jo diskriminuese pasi kjo lidhet më shumë me aspekte objektive që një biznes ka, pamundësinë që ka për të përballuar një situatë ekonomike detyrohet të heqë një pjesë të stafit nga puna. Ajo që vëmë re ne dhe që kemi më shumë shqetësim mbeten grupet vulnerabël, pasi ato janë të tilla në kohë normale dhe bëhen më vulnerabël në kohë jonormale sidomos kur ka më shumë probleme ekonomike, sociale, shëndetësore në një shoqëri, apo kur jemi në gjendje të jashtëzakonshme. Prandaj në fokusin tonë kanë qenë këto grupe kryesisht ne jemi drejtuar dhe me rekomandime qeverisë, kur kanë dalë paketat financiare, duke i rekomanduar të ketë në fokus sidomos ato shtresat të cilat dihen tashmë. Sidomos për punëkërkuesit e papunë, sepse një pjesë e madhe e popullsisë që ne na rezultonte pa të ardhura në kohën e pandemisë ishin ata njerëz që janë të regjistruar si punëkërkues të papunë dhe janë pa punë. Nuk mund të përfitonin dot një paketë financiare nga ana e qeverisë, dhe kjo prek shumë, në një pjesë të konsiderueshme sidomos komunitetet rome dhe egjiptiane.
Po për personat me aftësi të kufizuar lidhur me aksesin në shërbime? Ka mjaft shqetësime lidhur me marrjen e dokumenteve biometrike. A keni një çështje konkrete për këtë?
Ne kemi pasur një ankesë konkrete nga një person me aftësi të kufizuar i cili ishte paraplegjikëm në karrige me rrota dhe që e para njëherë nuk hynte dot në vendin ku duhet të jepte gjurmët e gishtave sepse vendi nuk kishte krijuar aksesueshmëri për personat me aftësi të kufizuar pra nuk kishte as rampa e as ashensor dhe vendi ishte me shkallë dhe ajo që është e lehtë për ne për një person në karrige me rrota është shumë e vështirë për tu bërë. E dyta ishte që edhe mënyra e marrjes së gjurmëve të gishtave në aparaturat që përdorte kompania nuk ishte e përshtatur për persona me aftësi të kufizuar, sepse ka persona që janë me aftësi të kufizuar dhe nuk mund të lëvizin dot gishtat e duarve. Atëherë pajisja do të duhet të jetë e përshtatur dhe për këta persona në mënyrë që të merren gjurmët e gishtave dhe e treta është që shoqëria në fjalë nuk ofron shërbimin në shtëpi për persona që janë të pamundur fizikisht për shkak sëmundjesh të ndryshme që të mund të shkojë të japë gjurmët e gishtave daç për të bërë për herë të parë dokumentet biometrike apo për ta rinovuar atë. Janë vënë re një sërë mangësish në lidhje me ofrimin e këtij shërbimi ku në rastin konkret, palë e cila në këndvështrimin tonë është përgjegjëse është ministria e Brendshme e cila ka bërë kontratën me kompaninë në fjalë, e pastaj e miratuar nga Kuvendi me ligj. Kjo është një rast konkret që ne kemi pasur në lidhje me një shqetësim të tillë. Rastet kur ankimohen edhe ekspozohen. Në rastin konkret na rezulton se ka disa lloje aftësisht të kufizuara të cilat kanë probleme. Për shembull, një rast mund të jetë kur personi nuk i ka të dy duart, si i bëhet? Kjo është më shqetësuese që nuk ofrohet shërbim në shtëpi për një person që nuk mund të lëvizë.
Si u trajtua si çështje?
Ne kemi dalë me vendim diskriminimi, nuk na rezulton që të jetë zbatuar nga Ministria e Brendshme. Dhe për rrjedhojë e kemi gjobitur.
Cilat janë objektivat e Komisionerit për vitin e ardhshëm?
Ne kryesisht i kemi përqendruar armët tona në ato grupe që ndër vite na rezultojnë siç e thamë pak më lart të diskriminuar, aty e kemi fokusin më të madh. Një sfidë tjetër mbetet për tu ekspozuar më shumë institucionalisht ato grupet shoqërore të cilat ne e dimë që janë të diskriminuar por që ankohen pak. Këtu le të themi sjell në vëmendje tre kryesisht. E para aspekti gjinor, ku ne e dimë në bazë të shumë raporteve të ndryshme po dhe për faktin që jetojmë në shoqëri që gruaja është e diskriminuar në shoqëri, por ne kemi pak ankesa që lidhen me shkakun gjinor. Komponenti i dytë është aspekti etnik, ose i minoriteteve, ku dhe këtu ka pak ankesa që vijnë nga minoritete të ndryshme për situata të ndryshme dhe aspekti i tretë është ai fetar. Dhe këtu ne e dimë që ka diskriminime me bazë fetare por mbeten pak të ekspozuara apo të raportuara në institucionin tonë. Këto janë një sfidë. Kuptohet që objektiv permanent mbeten fëmijët sepse jo rrallëherë qëllon që janë fëmijët të diskriminuar dhe kjo është shumë shqetësuese në këndvështrimin tonë si institucion por sfidat janë duke u përqendruar aty ku ne kemi të raportuar diskriminim por dhe të nxisim aty ku ne dimë që ka diskriminim por që mbeten akoma pak të ekspozuara apo raportuara si raste./ A.B-tirananews.al