Historia Ime letër UGSH: Reagoni për gjuhën homofobike në media

Portali HistoriaIme, që ka në fokusin e saj kryesisht ngjarjet që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, përmes një letre drejtuar Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, kërkon marrjen e menjëhershme të masave kundër gjuhës homofobike në mediat tona. Letra i është drejtuar Unionit të Gazetarëve, si organ përfaqësues i praktikuesve të medias në Shqipëri, me qëllim sensibilizimin e të gjithë gazetarëve mbi gjuhën e urrejtjes e cila ka përfshirë dhjetëra aktivistë dhe përfaqësues të komunitetit LGBTI+.
Nisur edhe nga debatet e fundit, dhe shtrembërimi me ose pa dashje i titujve të disa lajmeve, të cilat më pas u rishpërndanë nga qindra portale mediatike dhe llogari në rrjete sociale, HistoriaIme kërkon nga UGSH një reagim publik mbi rastet e listuara në letrën që i ka dërguar.
Letra njëkohësisht i është dërguar dhe Këshillit Shqiptar të Medias, Autoritetit të Mediave Audiovizive, dhe dy televizioneve kryesore që nisën debatin mbi të drejtën e prindërimit të personave LGBTI+. Në vijim letra e plotë:
Të nderuar kolegë,
Pas ditësh debati të ngarkuar me gjuhë urrejtje dhe diskriminuese, që sulmon drejtpërdrejtë komunitetin LGBTI+ dhe familjet e tyre, dëshirojmë të sjellim në vëmendjen tuaj situatën e krijuar për shkak të deklaratave të rreme të publikuara nga portalet mediatike në vend, të nxitura prej keqkuptimeve dhe mungesës së moderimit në emisionet televizive të televizioneve ABC Neës dhe Top Channel, përkatësisht ABC e Pasdites e datës 8 Qershor 2021, dhe Shqipëria Live e datës 9 Qershor. Njëkohësisht duam të sjellim në vëmendjen tuaj dhe rastet e përshkallëzimit të gjuhës së urrejtjes ndaj komunitetit LGBTI+ në rrjetet sociale të këtyre televizioneve, si dhe dhjetëra portaleve të tjera mediatike në vend.
Të vetëdijshëm për situatën e rrezikshme në të cilën ndodhet mjedisi mediatik në vend, me rrezikun e shtuar të rregullimit shtetëror, praninë e censurës dhe vetë-censurës, nuk do të dëshironim në asnjë mënyrë që kjo kërkesë të dukej si një kërkesë për anashkalimin e tematikave që prekin kauzën e komunitetit LGBTI+.
Përkundrazi, kjo kërkesë është një ftesë në një debat të munguar mediatik dhe të rëndësishëm për vetë komunitetin tonë dhe shoqërinë. Por mungesa e vetë-rregullimit dhe e mekanizmave efikasë për adresimin e gjuhës së urrejtjes, e ka kthyer mjedisin mediatik aktual mediatik në një rrezik të shtuar për LGBT+, i cili herë pas here po shton paragjykimet mbi këto persona, duke përkeqësuar dhe situatën e respektimit të të drejtave të tyre dhe përfaqësimit si të barabartë në media.
Në rastin në fjalë, të gjithë dëshmuam se si shpikja e një lajmi të pabazë dhe përdorimi i titujve sensacionalë, keqorientoi audiencën, duke krijuar dhjetëra fake neës me pasoja shumë të dëmshme për komunitetin LGBT+, të cilat u pasuan me gjuhë urrejtjeje, kërcënime dhe shpifje ndaj personave LGBT+, aktivistëve, familjarëve të tyre dhe mbështetësve të kauzës LGBT+ në rrjete sociale.
Gazetaria në Shqipëri, duhet të udhëhiqet nga parimet e etikës, të sanksionuara dhe në Kodin e Etikës së Mediave, ku saktësia e informacionit dhe komunikimi i drejtë dhe i qartë i tij, janë parime universale dhe të pakundërshtueshme. Gjithsesi vëmë re se aktualisht, këto dy parime janë shkelur dhe vijojnë të shkelen rregullisht, sidomos kur bëhet fjalë për portretizimin e komunitetit LGBTI+ apo komunikimin e problematikave të tyre.
“Media nuk duhet të shtrembërojë apo keqpërdorë deklaratat e bëra në kontekste të caktuara.”
Do e vlerësonim shumë reagimin tuaj publik mbi rastet në fjalë dhe mbi portretizimin e përgjithshëm jo-korrekt të komunitetit LGBTI+ nga mediat vizive në vend dhe ato online. Njëkohësisht kërkojmë nga ana juaj një analizë të detajuar të situatës, duke risjellë në vëmendje parimet etike nga të cilat mediat dhe gazetarët do të duhet të udhëhiqen në këto raste.
Së bashku mund të arrijmë që vetë-rregullimi i medias, të prodhojë një mjedis mediatik më etik dhe më gjithëpërfshirës.
Duke ju përgëzuar për punën dhe kontributin tuaj në median dhe mirë-funksionimin e saj, shpresojmë në një përgjigje të shpejtë nga ana juaj.
Me respekt,
…