Baba nuk e donte si nuse të djalit, e vret!

Xhevahir Hoxha 61-vjeç vrau të martën bashkëjetuesen e djalit të tij Merushe Hazizi 31-vjeç, e më pas vrau veten në një pemë në fshatin Vidhisht të Roskovecit!
Hoxha e goditi me thikë Hazizin ndërsa askush nuk ndodhej në shtëpi!
Ngjarja e rëndë u raportua se ndodhi për shkak se i moshuari nuk e pranonte për nuse të renë e cila ishte e lidhur prej 3 vitesh me djalin e autorit!
Ngjarja ishte e paralajmëruar, i gjithë fshati e dinte se një ditë ajo do të ndodhte pasi vetë autori kishte paralajmëruar vrasjen e nuses bashkë me djalë!
Një e afërme e autorit tha për media se: Para tre ditësh, i thashë mos bëj ndonjë gafë. Unë tha kam vendosur do ta vras djalin dhe nusen dhe vetë do varem. Ai që është varur ishte shumë në rregull, me shtëpi të mirë, punonte. Nuk ishte dakord me djalin. Ai i thoshte mos e merr nusen në shtëpi. I kishte thënë djalit gjithmonë do të vras ty dhe atë dhe do varem. Zihej me djalin për shkak të nuses”.
Askush se kishte rastin në polici, pavarësisht se autori kërcënonte në vazhdimësi vrasjen e nuses dhe të birit. Shoqëria shqiptare edhe një herë dështoi në mbrojtjen e grave dhe vajzave, pasi qartasi e la një të re në duart e një krimineli që i mori jetën!
Në 2 ditë në vendin tonë kanë ndodhur edhe të paktën 4 raste të dhunës në familje ndaj grave dhe vajzave!
Në Kukës, 36-vjeçari Bylbyl Saraçi i kishte prerë gishtat me thikë bashkëshortes, dhe e kërcënonte se do të vriste ate dhe të vëllanë e saj.
Ndërhyrja e policisë ka shmangur ngjarjen, ndërsa pas arrestimit, 36-vjeçarit iu gjet edhe një armë zjarri pushkë e mbushur me fishekë dhe një thikë me të cilën dyshohet se i ka prerë gishtat bashkëshortes së tij 35-vjeçare.
Një tjetër rast u regjistrua paraditen e së hënës në Fier ku u arrestuan Selman Kumanaku dhe Vaso Zisi të dy për dhunë në familje.
Kumanaku, 52 vjeç banues në fshatin Zhupan sipas policisë kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij, ndërsa ka rënë në pranga dhe është dërguar në paraburgim ku do të presë masën e sigurisë.
Dhe nga ana tjetër 56-vjeçari Vaso Zisi kishte ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes në qytetin e Fierit.
Në Gjirokastër, policia ka vënë në pranga shtetasin Petrit Llogo banues në fshatin Tërbuq.
Ai mësohet se kishte ushtruar dhunë në mënyrë të përsëritur ndaj bashkëjetueses M.B, ndërsa ka qenë kjo e fundit e cila e ka denoncuar 49-vjeçarin, i cili do të përballet me akuzën e “dhunës në familje”./ HistoriaIme