Deklarata mizogjene e fyese për gratë në tv

Nga Kristi Pinderi
I ftuar të komentojë rreth temës së abortit, “the moral entrepreneur” Robert Aliaj Dragoti (koncepti sociologjik the moral entrepreneur mund të shqipërohet si matrapaz i moralit), tha një varg me mendime të paqarta, të turbullta dhe të sikletshme për t’u dëgjuar për shkak të çoroditjes kuptimore, mungesës së koherencës logjike dhe mungesës totale të analizës historike dhe juridike të çështjes për të cilën ishte ftuar të debatonte. Por mbi të gjitha ishte e sikletshme për t’u dëgjuar për shkak se ishte ndoshta fjalimi më mizogjen në historinë e televizionit shqiptar, një fjalim i mbushur me frikë, përbuzje dhe urrejtje për gruan dhe çdo lëvizje për drejtësi shoqërore.
Në emision ishte ftuar dhe gruaja e një bariu fetar, e cila mendon se “nuk ka asnjë vend tjetër më të mirë se Hungaria për cilësinë e trajtimit te gruas dhe për programet sociale”. E ftuar ishte dhe Evi Kokalari, një polemizuese profesioniste shqiptaro-amerikane si dhe Ergys Mërtiri, një pedagog sociologjie pa ndonjë kontribut që mund të cilësohet i shquar në akademi, që nuk le asnjë rast pa e përdorur për të sulmuar dhe demonizuar komunitetin LGBTQ+, siç bëri dhe në këtë emision. Këta, kishim përballë Anuela Ristanin (PhD nga Universiteti i Misurit), zv/kryetare e Bashkisë së Tiranës, e cila ishte krejt e papërgatitur për të dëgjuar turfullimet fantazmagorike që u thanë aty.
Por le të kthehemi dhe njëherë te Robert Aliaj. Ai tha:
“Në këtë problem harrohet dhe dikush që është shumë i rëndësishëm, që është mashkulli! Le të mos marrim vetëm rastin kur ai është dhunues, por rastin normal siç ndodhin gabimet… nga… pakujdesitë! Është personazhi që në fakt nuk pyetet se merr gjithë prioritetin femra për arsye të gjithë politikave të këtyre 60 viteve majtiste, liberaliste, feministe… Të gjitha këto që kanë shkatërruar jetën familjare duke e shthurrur seksualisht me këto idetë e tipit trupi im, zgjedhja ime, të drejtat e mia… Ndërkohë që ai fëmijë është i zgjidhur edhe nga një mashkull, i cili nuk pyetet në momentin që do abortohet sepse e merr të gjithë gjoja përgjegjësinë dhe prioritetin femra e cila thotë kush të pyet ty! Pastaj kur lind fëmija kthehet te mashkulli dhe thotë tani mbaje ti.”